Këtë të dielë, Kryeministri Rama ia kushtoi monologun e tij të përjavshëm në Facebook, raportit të Policisë Financiare Italiane në lidhje me misionet e monitorimit nga ajri të kultivimit të kanabisit në Shqipëri.
I gjendur përballë denoncimit të opozitës, Kryeministri pranoi, për herë të parë në këtë komunikim, faktin se sipërfaqja e mbjellë me kanabis gjatë vitit 2016 është rritur në krahasim me vitin 2015—në fakt, sipas raportit të Policisë Financiare italiane sipërfaqja është pesëfishuar.
Por nga ana tjetër, për të zbehur rëndësinë e këtij fakti, Kryeministri Rama ka argumentuar se edhe pse sipërfaqja është rritur, prodhimi i marijuanës është ulur, për arsye se trafikantët kanë filluar të përdorin një varietet kanabisi me rendiment më të ulët prodhimi.
“Fara e përdorur gjerësisht këtë vit, me shpresën për t’i shpëtuar ndërhyrjes shkatërruese të policisë, rritet më shpejtë dhe ka produktivitet shumë më të ulët. Kjo ka bërë që sasia e kanabisit të prodhuar këtë vit të jetë 6 herë më e ulët se sa vjet, edhe pse sipërfaqja e mbjellë ka qenë më e madhe, duke e shtrirë mbjelljen nëpër skuta e zgëqe të Shqipërisë,” është shprehur Kryeministri.
Kryeministri nuk jep asnjë fakt për të mbështetur këtë deklaratë, ndërkohë që nuk ka asnjë studim, hetim apo publikim të çfarëdolloji në lidhje me informacione dhe të dhëna në lidhje me kanabisin në vend.
Përdorimi i varieteteve të kanabisit me cikël të ulët jetësor ka qenë i përfolur prej kohësh. Por arsyeja që diskutohej për këtë preferencë të kultivuesve vendas është fakti se këto lloj varietetesh me cikle të shkurtra deri në 6-7 javë, lejojnë deri në tre mbjellje dhe të korrura në vit, në krahasim me varietetet e tjera që kërkojnë 12-16 javë dhe mundësojnë vetëm një mbjellje në vit. (Duke qenë se kanabisi ka kërkesa të veçanta për diell, errësirë dhe ngrohtësi ai mund të kultivohet vetëm në periudhën e verës.)
Pretendimi i Kryeministrit bie ndesh me këtë teori, pasi Kryeministri pretendon se kultivuesit kanë kërkuar varietete më cikle të shkurtra nga frika se mund të zbulohen nga policia. Ky pretendim duket pak i besueshëm.