Kryeministri Rama: Do takoj presidentin Trump

Kryeministri Rama: Do takoj presidentin Trump

Kryeministri Edi Rama do të takojë Presidentin Trump gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Nga njoftimi i vetë kryeministrit në Facebook nuk është e qartë nëse Rama dhe Trump do të takohen vetëm për një foto, së bashku me bashkëshortet e tyre, pas darkës tradicionale që shtron presidenti i SHBA-ve, apo ata do të kenë ndonjë takim të shkurtër mënjanë gjatë pushimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Rama u nis mbrëmë për në Nju Jork, vizitë të cilën e kishte planifikuar ta niste të shtunën, por e anuloi pas tërmetit dhe u kthye në Shqipëri nga Gjermania, ku ndodhej në një tjetër vizitë.

Pasi bëri një mbledhje urgjente të qeverisë në mesnatën e së shtunës, Rama, ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste organizuan një fushatë instensive takimesh me njerëz në Durrës dhe Tiranë, të cilat mbizotëruan lajmet në media dhe patën përhapje të gjerë në mediat sociale.

Sot Rama lajmëroi se tashmë situata në lidhje me tërmetet ishte e sigurtë, dhe se ai ishte nisur për në Nju Jork, në vizitën e panisur më herët.

Rama lajmëroi se do të takonte drejtuesit e disa vendeve gjatë kësaj vizite, ndërmjet tyre edhe Presidentit Trump të SHBA-ve.

“Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.”

Fjalimet nga drejtuesit e vendeve janë një praktikë e zakonshme përgjatë ditëve të mbledhjeve në Asamblenë e Përgjithshme.

Në traditën e Shtëpisë së Bardhë, Presidenti i SHBA-ve organizon një pritje për drejtuesit e vendeve pjesëmarrëse në asamble dhe shkrep edhe foto familjare me ta.

Kryeministri Rama bisedoi me Presidentin Trump edhe mënjanë samitit të NATO-s vitin e shkuar, gjatë pushimit.

Ndërkohë mbetet për t’u parë nëse Kryeministri Rama do të ketë një takim të shkurtër të mënjanuar me Presidentit Trump duke nisur nga dita e nesërme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>