Kryeministri Edi Rama bisedoi sot në mbrëmje me gazetaren Mirela Milori në Gjirokastër. Biseda u përqëndrua në akuzat e fundit për vëllain e Ministrit të Brendshëm Xhafaj të përfshirë në trafikun e drogës në vend, audio përgjimin e publikuar nga opozita, shkarkimin e Ministrit Xhafaj dhe hapjen e bisedimeve për Shqipërinë.
Kryeministri Rama vazhdoi të mbajë të njëjtin qendrim me disa ditë më parë për rastin e ministrit Xhafaj. Ai tha se nuk ka asnjë arsye të shkarkojë ministrin Xhafaj. “Shkarkim për arsye morale? Jetojmë në një sistem ku nga mosha 18 vjeç, secili varet nga këmbët e veta dhe askush nuk mund të implikohet se ka një vëlla”, u shpreh kryeministri.
Ai vazhdoi duke thenë se “kur kam bërë zgjedhjen e Xhafës si ministër të brendshëm unë e kam ditur këtë fakt [dënimin e vëllait të ministrit në Itali për trafik kokaine]. Akuza ka pasur që në vitin 2002”.
Kryeministri e mbrojti Ministrin e Brendshëm duke u shprehur i sigurtë se vëllai i tij Agron Xhafaj nuk ishte i përfshirë në narkotrafik, duke thënë se “nëse do të kishte të dhëna për këtë që një vëlla është aktiv në këtë aktivitet e bën të pamundur që vëllai të jetë ministër”.
Sërish, kryeministri nuk pranoi të tregojë se si e ka marrë audio përgjimin original dhe kampionin original të zërit të Agron Xhafajt, me të cilat më pas ka bërë verifikimet në një agjensi britanike, emrin e të cilës gjithashtu e mbajti sekret.
“Eshtë e kotë të insistoj në këtë, sepse në fund të fundit, kjo është fjala e një pale dhe çfarëdo detaji të jap unë, nuk përbën argument për atë që ka dyshime”, tha Rama. Gjithashtu, ai shtoi se “nëse prokuroria do i shkojë deri në fund njerëzit do shohin gjëra që janë shumë tronditëse, këtu janë përfshirë struktura. Këtu është një gjë matematikisht e sigurt”.
Kryeministri ndoqi teknikën e përsëritur dhe të njohur të baltosjes së dëshmitarit dhe denoncuesit. Ai tha se dëshmitari i regjistruar në audio përgjim është “një personazh kaq i marrë fund në rrugët e qytetit të kthehet në një hero mediatik. Ka njerëz që e dinë që është farsë, komuniteti në Vlorë e njeh dëshmitarin X dhe janë të skandalizuar si mund të kthehet ky personazh në hero të opozitës, ndërkohë që ka edhe të tjerë që kanë dyshime dhe atyre unë iu them që fjala ime vlen aq sa vlen. Le të presim përfundimin. Çështja do zbardhet. Faji nuk do mbetet jetim” .
Zoti Rama vazhdoi të sulmoi gazetaren e Fax web —e cila gjatë konferencës për shtyp pas kthimit të Ramës nga Samiti i Sofjes e pyeti nëse ka në “PS dikë që nuk ka ndonjë kushuri apo vëlla trafikant të mbulojë detyrën e ministrit të brendshëm”— duke thënë se:
“Nuk kisha asgjë me të sepse ajo kaq di, aq bën dhe aq kupton. Normal që kush krahason një burrë 2 metra me një vajzë të vogël, dihet çfarë krahu do të mbajë. Është mëkat që gjendja e medias është në këtë nivel. Ka mundësinë të pyesë kryeministrin edhe një person që nuk ka informacion…” .
Gjithashtu ai vazhdoi të sulmoi opozitën duke e fajësuar për drogën në vend. Ai tha se “ka dyshime shumë të arsyeshme [se 613 kilogramë kokainë të kapur në Maminas] të çojnë drejt njerëzish shumë të lidhur me rangjet me të larta të PD. Informacionet krijojnë dyshimin e arsyeshëm, pastaj është hetimi që duhet të provojë dyshimin e arsyeshëm me prova”. Madje kryeministri shkoi më tej duke e kërcënuar opozitën.
“Ata [opozita] që kanë marrë flamurin e antimafias do të kenë llogari të mëdha edhe me çështjen e drogës”, tha Rama.
Ndërsa për vendimin e vendeve anëtare të BE-së për vendosjen pro hapjes së bisedimeve me Shqipërinë, Kryeministri tha se nëse Shqipëria i hap negocitata “kjo do jetë vetëm si pasojë e punës së jashtëzakonshme qe ne [qeveria] kemi bërë dhe të gjithë e njohin”, dhe në rastin e mos hapjes së negociatave “disa nga vendet edhe më pro evropian, kanë brenda tensione edhe në partitë e tyre. Ato vijnë nga njerëz që nuk kanë gjë më Shqipërinë por e përdorin Shqipërinë si agument për axhendën e tyre. Dhe thonë ky trafikant, këtu drogë, këtu drogë.”