Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, Naureda Llagami të mërkurën raportoi në Komisionin e Ligjeve, për ecurinë e reformës në drejtësi.
Ajo shprehu shqetësim në lidhje me situatën problematike të gjykatave të Apelit në vend, të cilat kanë ngelur pa gjykatës për shkak të Vettingut dhe dorëheqjeve.
“Nga 75 gjyqtarë që duhet të ofrojnë shërbimin, 25 gjyqtarë ka. Në fund të vitit ka qenë 27. Ky numër zvogëlohet prej Vettingut dhe dorëheqjes,” u shpreh Llagami.
Ajo shtoi se një tjetër arsye ka qënë edhe hezitimi i gjyqëtarëve për të aplikuar në pozicionet e hapura nga KLGJ-ja.
“KLGJ ka hapur 21 procedura për ngritje në detyrë, edhe për Gjykatën Administrative. Kandiduan vetëm 26 gjyqtarë. Aplikimet janë vetëm për Gëjykatën e Apelit në Tiranë e Durrës. Për të tjerat, KLGJ ka hapur dhe rihapur aplikimet se nuk ka kandidatura,” deklaroi Llagami para Komisionit.
Më herët, ajo ngriti edhe problematikën e efektit financiar që po shkaktohen nga zbatimi i reformës, ku buxheti ka humbur 30 milion lekë duke paguar gjyqëtarët, që ruajnë statusin në pritje të vendimit përfundimtar të vlerësimit të tyre.
“Dua t’ju kujtoj se dhe me Vettingun, deri tani u shkarkuan 13 gjyqtarë me formë të prerë, u shkarkuan 25 gjyqtarë që ruajnë statusin prej pezullimit, duke përfituar 75% të pagës, 30 milion lekë nga buxheti,” tha Llagami.
Nga njëra anë këta gjyqëtar vazhdojnë paguhen, ndërkohë që nuk mund të gjykojnë çështje, të cilat u kalojnë kolegëve të tyre të mbingarkuar.