KShH: ONM ka shkelur Kushtetutën me ‘opinionin mospajtues’ për Antoneta Sevdarin

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
KShH: ONM ka shkelur Kushtetutën me ‘opinionin mospajtues’ për Antoneta Sevdarin

Më 8 gusht, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera deklaroi se çdo kritikë ndaj punës së institucioneve të vetingut dhe ONM-së “konfirmon se vetingu po trondit themelet e sistemit të korruptuar”.

Por tashmë kritikat nuk po vijnë vetëm nga individë, por dhe nga palë të treta të pavarura si Komiteti i Helsinkit, i cili ka rol të rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

opinionin e fundit ligjor të publikuar, drejtuesja e KShH Erda Skëndaj argumenton se ‘opinioni mospajtues’ i vëzhguesit të ONM-së Ferdinando Buatier de Mongeot, dërguar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) për rastin e prokurores Antoneta Sevdari, ka tejkaluar kompetencat kushtetuese të ONM-së.

‘Opinioni mospajtues’ kritikon vendimin e KPA-së për shkarkimin e anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë(KLP) Antoneta Sevdari. Vendimi i KPA u dha më 28 shkurt të 2019, ndërsa ‘opinioni mospajtues’ i ONM-së është shkruar më 25 prill 2019.

Zonja Skëndaj argumenton se publikimi i ‘opinionit mospajtues’ të ONM-së mbas vendimit të KPA-së, ka kaluar kufijtë e përcaktuar nga Kushtetuta. Kushtetuta përcakton në nenin B(3) të aneksit si më poshtë:

b)paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuon për kontrollin e figurës sipas nenit DH. Lidhur me këto gjetje, vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojë që Komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, sipas ligjit;

c) u jep komisionerëve publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim. […]

 ç) kanë të drejtën të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.

Kështu ONM ka të drejtë t’i kërkojë institucioneve të vetingut të marrin në konsideratë prova të caktuara dhe t’i drejtojë rekomandime Komisionerit Publik.

ONM i ka përmbushur deri më tani këto detyra. Megjithatë nuk ekziston asnjë nen i cili i jep të drejtë ONM të paraqesë ‘opinione paralele’ sikur të ishte pjesë e trupës gjykuese të çështjes.

Gjithashtu Kushtetuta nuk i jep të drejtën ONM të japë mendim pasi çështja ka marrë vendim të formës së prerë, si në rastin e Sevdarit.

Ligji i Vetingut në nenin 55 përcakton se vëzhguesi i ONM “ka të drejtë të shkruajë një mendim ndryshe/paralel që i bashkohet vendimit.” Megjithatë, Skëndaj argumenton se kjo përdoret vetëm në vendimet e KPK (referuar si Komisioni në nenin 55), dhe jo për ato të KPA.

Në rastin e dhënies së ‘opinionit mospajtues’ kur çështja është në KPK, ai mund të përdoret vetëm nga Komisioneri Publik për të ankimuar çështjen në KPA. Por është KPA-ja ajo që jep vendimin përfundimtar në procesin e vetingut dhe nuk ka mjet tjetër ankimi përveç Gjykatës së Strasburgut.

Si përfundim, Zonja Skëndaj shprehet:

“Për të gjitha argumentat e parashtruara më sipër, kam mendimin se mendimi paralel/ndryshe i paraqitur nga vëzhguesi i ONM-së mbi vendimin e KPA-se për çështjen A.Sevdari, tejkalon atributet e përcaktuara në nenin “B” të Aneksit të Kushtetutës. 

Për më tepër, në rastin në fjalë apo në një precedent tjetër të njëjtë nëse do të ketë në të ardhmen […], mendimi paralel/ndryshe do krijonte premisa për të favorizuar subjektet në proceset e tyre në Gjykatën e Strasburgut.

Kjo mund të lëkundë besimin në objektivitetin e një mekanizmi rojtar dhe vëzhgues tepër të rëndësishëm ndërkombëtar si ONM, i cili në përputhje me detyrat kushtetuese kontribuon në rritjen e përgjegjshmërisë dhe paanshmërisë së procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”

Fakti që ONM kapërceu kufijtë kushtetues dhe mori kompetencat e një magjistrati të veçantë paasi KPA dha vendimin përfundimtar, jo vetëm që ul besueshmërinë ndaj institucioneve të vetingut dhe gjithë procesit, por gjithashtu politizon rolin e ONM-së dhe dëmton besueshmërinë si arbitër i paanshëm, sepse haptazi ka kundërshtuar vendimin e KPA.

Do të ishte mirë që ONM të jepte shpjegime për argumentat ligjore të paraqitura nga KShH dhe të largojë çdo dyshim lidhur me rolin e saj kushtetues gjatë procesit të vetingut.

Exit.al i ka shkruar ONM-së për një përgjigje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli,  ONM ende nuk është përgjigjur.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>