Pamjet si ato të përplasjes mes banorëve dhe policisë te Petro Nini ngrejnë pyetje jo vetëm mbi ekzistencën e shtetit të së drejtës, por edhe mbi gjendjen e shoqërisë shqiptare. Duke qenë se opozita është përjashtuar me kohë nga kauzat civile, për shkak të manisë së ankthshme për protesta apolitike, zgjidhja ngelet te shoqëria civile.
Po ku është shoqëria civile?
Shoqërinë civile të regjistruar zyrtarisht dhe me numër NIPT e gjen fare lehtë në hotelet luksoze të kryeqytetit. Shoqëria civile ka kuptuar dy temat më të leverdisshme për të përfituar fonde nga partnerët ndërkombëtarë dhe vëmendje nga media: dhuna ndaj grave dhe respektimi i të drejtave të komunitetit LGBTQI.
Mirëpo edhe rrahja e këtyre temave mbetet sërish në nivelin e fasadës, që shfaqet kudo ku lëvrohet media apo politika. Makiazhi që shoqëria civile i bën këtij pushteti është i dyfishtë. Nga njëra anë ajo e mban pushtetin larg nga presioni, që shoqëria civile duhet të ushtrojë për problemet e vërteta, dhe nga ana tjetër i rrit besueshmërinë qeverisë përballë ndërkombëtarëve, duke i bërë të besojnë se të drejtat e komunitetit respektohen dhe se shoqëria shqiptare është vetëm një hap larg arritjes së standardeve të shoqërive të emancipuara.
Por për fatin e keq të komuniteteve të margjinalizuara apo të grave të dhunuara, angazhimi “revolucionar” i shoqërisë civile nuk e kalon pragun e sallave të hoteleve dhe zyrave të rehatshme.
Deri më tani nuk kemi parë e as dëgjuar që aktivistet e studiove televizive për të drejtat e gruas të venë këmbën në fabrikat dhe qendrat e fasonerive, ku gratë paguhen me 150 mijë lekë për 10 orë rraskapitëse pune. Këmba e tyre nuk shkel në rruginat plot pluhur të fabrikave të shfrytëzimit, sepse aktivizmi i atillë vdiq në kohën kur liberalizmi kulturor nga një e drejtë u kthye në imperativ të kohës.
E njëjta gjë ndodh dhe me komunitetin LGBTQI. Shoqërinë civile e gjen gjatë gjithë vitit duke dhënë leksione mbi nevojat për ndryshime ligjore, që t’i hapin rrugë lejimit të martesave brenda së njëjtës gjini. Rrallë i sheh, për të mos thënë kurrë ndonjëherë, te bulevardi Zogu i Parë, vetëm pak metra larg Hotel Tiranës, aty ku jo rrallë njerëzit shesin trupin nën hundën e policëve, gazetarëve, intelektualëve dhe të këtij qyteti namusqar.
Sipas tyre, komuniteti LGBTQI ka të drejtë ta ushtrojë lirisht orientimin seksual, por kur vjen fjala te liritë dhe të drejtat e tjera ata heshtin. Kjo shoqëri civile e konsideron orientimin seksual si pararojë të identitetit njerëzor, duke lënë mënjanë faktin se këta njerëz nuk janë makineri seksi, por individë që kanë nevojë për punë dhe kujdes social. Por këto tema, natyrisht, nuk bëjnë lajm dhe nuk të katapultojnë në studio televizive.
Sa për shtresa të tjera në nevojë, si familjet te Petro Nini, fati iu ka rezervuar jo vetëm shurdhërinë e shtetit, por edhe verbërinë e të ashtuquajturës shoqëri civile.
Ka ardhur koha për një shoqëri civile të re dhe të vërtetë. Ka ardhur koha për grupe njerëzish që punojnë për lagjen e tyre, komunitetin e tyre, pa pasur nevojë për fonde nga Bashkimi Europian apo hapësirë të domosdoshme mediatike. Vendi ynë ka më shumë nevoje për kauza lokale se sa kombëtare. Tirana ka nevojë për njerëz që e duan qytetin si vendin ku do të lindin dhe rrisin fëmijët e tyre dhe jo si qytetin ku do të fitojnë kapital politik.
Konceptimi i ngushtë i shoqërisë civile si një shoqatë me numër NIPT dhe me një zyrë është i pavlerë për shoqërinë. Kriteri ligjor që detyron regjistrimin te autoritetet shtetërore nuk ka pse të jetë domosdoshmëri për të mbrojtur interesin publik. Rithemelimi në koncept i një shoqërie civile, që nuk ka nevojë për paterica për të funksionuar, është kërkesë e gjendjes së shoqërisë shqiptare përballë pushtetit, i cili nuk pyet më për shtet dhe për zgjidhje politike. Gjendja e tanishme nuk bën gjë tjetër veçse e legjitimon këtë pushtet për t’u shndërruar nga autokraci në diktaturë të mirëfilltë të oligarkisë.