Kualifikimi i Artur Metanit tregon politizimin e sistemit gjyqësor

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Kualifikimi i Artur Metanit tregon politizimin e sistemit gjyqësor

Në dhjetor 2019, Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë (KED) i dërgoi Parlamentit një listë me 5 kandidatë për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), ku Avokati i Shtetit Artur Metani renditej i pari.

Reporter.al raportoi se renditja e vetë kandidatëve, e kryer nga 5 prej 9 anëtarëve të KED, mund të jetë ndikuar nga fakti se bashkëshorti i një prej anëtareve të KED-së, prokurores Fatjona Memçaj, aktualisht është vartës i Zotit Metani. Zonja Memçaj ka punuar edhe vetë me Zotin Metani në Presidencë. Prandaj, ajo duket se është në konflikt të qartë interesi.

Në të njëjtën kohë, nëse Memçaj do të ishte dorëhequr nga procesi i renditjes së kandidatëve,  procedura për të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë do të kishte ngecur, sepse vetëm 4 nga 9 anëtarët e KED-së do të kishin votuar, duke mos arritur dot shumicën e nevojshme.

Pra, duket se edhe një herë pragmatizmi ka dominuar mbi procedurën e duhur – dhe zbatimin e ligjit.

Por përveç problemit me renditjen e Metanit, vetë kandidimi i tij është i diskutueshëm – edhe brenda vetë KED-it, pasi nga viti 2002 deri në 2012, Metani ka qenë këshilltar i Presidentëve Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.

Sipas nenit 147/d(3) të Kushtetutës:

“[Inspektori i Lartë i Drejtësisë] nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.”

Tani shtrohet pyetja nëse këshilltari i Presidentit është një “post politik” apo jo. KED vendosi që nuk është, dhe lejoi kandidaturën e Metani për ILD.

Sidoqoftë, me procesin e reformës në drejtësi, ka një precedent të qartë në të cilin u vendos se të qënit këshilltar i presidentit është një funksion politik. Kjo u vendos nga vetë Avokati i Popullit, atëherë Igli Totozani, në vitin 2017.

Në vitin 2017, Avokati i Popullit u përfshi, sëbashku me Operacionin ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), në përcaktimin e kandidatëve kualifikues për institucionet e vetingut. Njësoj si Inspektori i Lartë i Drejtësisë, anëtarët e institucioneve të vetingut nuk lejoheshin të mbanin poste politike. Si rezultat, Totozani  skualifikoi Shaqir Hasanin, një ish këshilltar i Presidentit Bujar Nishani.

Ky skualifikim çoi në një përplasje të fortë më 29 maj 2017, gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentarë Ad-Hoc, i cili duhet të përzgjidhte kandidatët final. Gjatë dëgjesës, deputeti socialist Ulsi Manja I tha Hasanit se:

Ju jeni informuar mbi arsyet dhe shkaqet e skualifikimit. […] Në çdo rast, arsyeja kryesore lidhet me funksionin tuaj si këshilltar i presidentit.

Gjatë të njëjtës dëgjesë, deputetja socialiste Vasilika Hysi duke iu referua Ligjit për Shërbimin Civil, konfirmojë sërish se Hasani ishte anëtarë i kabinetit të Presidentit dhe ndaj pozicioni i tij quhej një pozicion politik,

Pra, dy ligjvënës të shumicës socialiste konfirmuan se këshilltari i Presidentit ështw një post politik dhe ndaj duhet të skualifikohet. Nëse ligji u zbatua për Shaqir Hasanin, atëherë ai duhet të zbatohet edhe për Artur Metanin.

Dhe nëse institucionet shqiptare, përfshirë edhe KED dhe Parlamentit, befas e “harruan” këtë histori, me siguri duhet të kishte qënë detyrë e EURALIUS-it t’ja thoshte Metanit, por le të lulëzojë standarti i dyfishtë dhe referimet ligjore të politizohen.

Sepse arsyet që qwndrojnë pas skualifikimit të Hasanit dhe kualifikimit të Metanit janë të qarta. Hasani i përkiste opozitës, ndërsa Metani — theksojmw Avokat i Shtetit — i përket qeverisë. Edhe nëse deklaratat e mia do të rezultojnë të gabuara, perceptimi është ky.

Reforma në drejtësi u bë pikërisht për të ndaluar politizimin e gjyqësorit, dhe kualifikimi i Metani edhe një herë tregon se politika e trumbeton ligjin sa herë që i duhet.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>