Propaganda ka qenë suksesi dhe shpëtimi më i madh i kësaj qeverie për vite me radhë. Me anë të saj janë fshehur dhe janë hedhur pas krahëve skandale e krime, si: kthimi i Shqipërisë në plantacion kanabisi, kriminelët në Kuvend, vdekja e Ardit Gjoklajt në Sharrë, çështja Tahiri-Habilaj.
Krijimi i kakofonisë dhe spërdredhja e informacionit, të kryera nga qeveria përmes daljeve të përditshme në televizione dhe në media sociale, ka qenë një strategji e qartë për të mbuluar shumë nga skandalet e rënda të qeverisë. Ajo që ka ndodhur tërë këto vite mund të përmblidhet me një fjali: “Qeveria ka folur shumë, madje pa pushim, për gjithçka e çdo gjë”.
Përmes propagandës, qeveria ka hedhur në publik versionin e saj të ngjarjes. Më pas ky version është përforcuar përmes angazhimit militar të ushtrisë së përkrahësve të saj në strukturat rinore dhe administratë, madje shumë herë qëllimi kryesor ka qenë hutimi i qytetarëve, duke u servirur atyre qëndrime diametralisht të kundërta për të njëjtat çështje. Kështu:
Në shtator 2015, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë propagandistike bombastike në Pallatin e Kongreseve, me pjesëmarrjen e mijëra policëve dhe drejtuesve të policisë, ku shpalli “sukseset e shkëlqyera” të luftës kundër drogës.
Në mënyrë pompoze, në krah të ambasadorit italian Massimo Gaiani dhe atij amerikan Donald Lu, Kryeministri Rama shpalli fitoren e luftës kundër drogës dhe ndërmori një fushatë sulmesh dhe fyerjesh ndaj të gjithë atyre “që hidhnin baltë” mbi punën e shkëlqyer të policisë dhe Ministrin e tij të Brendshëm.
Në mënyrë të egër dhe me një siguri që tani duket kurajoze, Kryeministri sulmoi haptazi Dritan Zaganin, ish-drejtuesin e policisë kufitare të Vlorës, i cili pak javë më parë kishte denoncuar aktivitetin kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e Sajmir Tahirit me ta dhe trafikun e drogës e krimin.
Më pas, në vitin 2017, kur provat për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun e drogës u bënë të dukshme dhe prokuroria kërkoi arrestimin e tij, Kryeministri urdhëroi makinën e tij të propagandës të denigronte prokurorët, duke i quajtur ato malokë, prokurorë të lidhur me ish-Kryeministri Berisha dhe të paaftë.
Në vitin 2018, historia u përsërit, kësaj radhe për Ministrin e ri të Brendshëm Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit ka qenë pjesë e një bande ndërkombëtare trafiku droge dhe është dënuar në Itali.
Kryeministri Rama zgjodhi të mbrojë ministrin e tij dhe të ushtrojë trysni mbi dëshmitarin që akuzoi vëllain e ministrit si drejtues i trafikut të drogës. Përmes propagandës ai e vizatoi ngjarjen si sulm i sajuar i opozitës për të luftuar punën e Ministrit Xhafaj.
Kryeministri përdori të njëjtën teknikë edhe për rastin Nuhu-Balla: akuzoi dhe diskreditoi punonjësin e policisë Emiljano Nuhu, i cili kishte denoncuar kapjen e shtetit nga krimi, dhe mori në mbrojtje Sekretarin e PS Taulant Balla.
Njësoj veproi edhe kur e përditshmja Panorama publikoi lajmin se Njësia Operative e Policisë së Shtetit ndjek dhe përgjon drejtuesin e opozitës Lulzim Basha.
Kryeministri vuri menjëherë në punë makinën e propagandës qeveritare, duke mbushur portalet dhe mediat shoqërore me komente tallëse drejt Bashës, duke bërë insinuatën përçmuese se për ta futur në burg Bashën nuk ka nevojë për përgjime, sepse prokuroria ka plot dosje me ngjarje të rënda të ndodhura nën përgjegjësinë e Bashës në të shkuarën.
Sulmet propagandistike u përforcuan me komentet tallëse të bëra nga vetë Rama në faqen e tij në Facebook, i cili fillimisht përgjimin ndaj Bashës e quajti njësoj qesharak dhe të rremë si përgjimin e vëllait të Ministrit të Brendshëm Xhafaj, dhe pastaj, me një stil humori të denjë më shumë për kafenetë e lagjeve sesa për një kryeministër, botoi një meme të një “raporti përgjimi” ku raportohet se i përgjuari, pra Basha, është gjithmonë në “gjumë”.
Përdorimi i takimeve dhe tryezave të rrumbullakëta për propagandë
Në 22 shtator 2016, me 63 vota pro, Kuvendi miratoi ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ky ligj u kundërshtua fort nga qytetarët dhe nga Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve (AKIP). Qytetarët reaguan duke organizuar një protestë popullore kundër miratimit të ligjit.
Kryeministri Rama iu kundërpërgjigj protestave me propagandë. Ai organizoi në sallën e konferencave në Kryeministri një takim me shoqatën e ricikluesve, ku vemendja u përqendrua te fjala dhe argumentat e tij pro importit të mbetjeve.
Ambientaliste e vetme në Sallë u vetëdeklarua Ornela Çuçi, administratorja e UET-së, e cila pas fjalimit kundër ambientalistëve protestues u shpërblye me një detyrë të re: Këshilltare Kombëtare Pranë Kryeministrit për Çështjet Mjedisore!
Gjatë fjalimit Kryeministri denoncoi edhe një “komplot” kundër tij nga mafia, e cila në bashkëpunim me median po mbështeste interesa të caktuara politike.
Të njëjat tryeza bashkëbisedimi ai propozoi edhe në rastet e fundit, për prishjen e 317 banesave tek zona e Astirit, për prishjen e banesave në Shkozë, apo për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Rasti më i fundit është sajimi i “dialogut” me studentët në studion e emisionit Top Show të gazetarit Alban Dudushi, ku studentët e pranishëm u zbuluan si anëtarë të FRESSH-it, në kohë reale, pikërisht nga faqja humoristike Lolita.
Përdorimi i projekteve 3D për propagandë
Kjo është një metodë e përdorur nga qeveria Rama, ku për çdo projekt të kundërshtuar për shkelje të ligjit është nxjerrë një projekt-video për të manipuluar publikun. Metoda është diskredituar të paktën në dy raste këtë vit: me publikimin e projektit të teatrit, gjoja të projektuar nga nje studio prestigjoze daneze, që plagjarizonte një teatër modern të qytetit të Busanit (Koreja e Jugut), dhe me vjedhjen e projektit të aeroportit të Kuitasit (Gjeorgji) për ta shitur si projektin e aeroportit të Kukësit.
Nuk është çudi as sesi në ditën e dytë të protestës, pasi i kishte quajtur studentët “ngelësa”, kryeministri Rama iu përgjigj kërkesave të tyre për kushte më të mira në konvikte, duke nxjerrë në faqen e tij në Facebook një projekt 3D, që tentonte të aludonte se qeveria kishte plane për të modernizuar vendstrehimet e protestuesve.
Por, jo rastësisht, pothuajse në të njëjtin proporcion me propagandën dhe marrëdhëniet me publikun, vitet e fundit u ngrit edhe reagimi sarkastik në rrjetet sociale – hapësira e vetme e mendimit të lirë.
Tallja, shpotitja, ironia dhe memet u bënë mënyra sesi shqiptarët e pafuqishëm filluan të protestojnë. Faqjet e rrjeteve sociale, si për shembull “Lolita”, fituan popullaritet përmes kritikës së zgjuar e demaskimeve të fshehura pas humorit thumbues.
Në të njëjtën kohë, pas blerjes së mediave kryesore, këto faqe u bënë burim i filtrimit të informacionit.
Pas Lolitës, faqja e Genc Sejkos fitoi simpatinë e qytetarëve. Memet e tij — imazhe të shoqëruara me batuta të thjeshta — shpërndahen masivisht nga qytetarët në rrjete sociale. Ato shpesh kanë nxjerrë në pah paradokset e qeverisjes sonë dhe shpeshherë edhe absurditetin e saj.
Përkundër perceptimit të përgjithshëm se memet dhe sarkazma virtuale janë melheme, me të cilat kemi trajtuar pafuqinë dhe përjashtimin nga çdo formë vendimmarrjeje, apo se janë një kalim kohe për një popull apatik, me thjeshtësinë e tyre ato kanë ushqyer më shumë se gjithçka tjetër pakënaqësinë e përgjithshme.
E nëse ka patur nga ata që kanë fajësuar faqet satirike apo statuset për mungesën e reagimit nga qytetarët, përgjigja ka ardhur këtë javë me protestat masive të studentëve.
Studentët na kapën të gjithë në befasi kur dolën në rrugë të bashkuar. Ata nuk pritën as protestën e fundvitit të organizuar nga emigrantët shqiptarë në botë.
Tipari dallues i protestës së tyre ka qënë përdorimi kreativ i satirës dhe memeve për të paraqitur gjendjen ku është katandisur arsimi në vend, por edhe për të parashtruar kërkesat e tyre. Dhe ja, kaq është dashur që propaganda të mos pinte më ujë.
Nuk është, pra, rastësi që protestat e studentëve kanë përdorur efektivisht referenca të kulturës virtuale për të ironizuar kryeministrin dhe qeverisjen e tij.
Duket se Kryeministri është deri diku i vetëdijshëm për këtë fakt, deduktuar nga gjysmë përpjekja mediokre për të përdorur në faqen e tij memet dhe satirën kundër opozitës, por edhe për autoironi. Kjo përpjekje tenton të përdorë “letrën e fundit nën mëngë”, përvetësimin e protestës përmes përvetësimit të simboleve të saj dhe kundërshtarëve.
Një strategji e përdorur me sukses kundër opozitës në zgjedhjet e përgjithshme 2017, ku Partia Socialiste përdori dy gishtat lart si simbol të saj (gishta me të cilët PD ishte identifikuar historikisht), po rezulton tani vetëm në një tjetër dështim propagandistik, që e tregon zbuluar Edi Ramën pikërisht për atë që është:
– i dëshpëruar për të hequr vëmendjen nga krimet dhe skandalet që i dalin çdo javë;
– shumë arrogant për të pranuar se e ka humbur pozitën e pushtetit.
Kryeministri sapo ka filluar të kuptojë fuqinë e sarkazmës si armë kundër tij, atë për të cilën Churchill dikur do të shprehej se “Një shaka është një gjë shumë serioze”.