Ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paralajmëruar se me të ardhur në pushtet, qeveria e tij do të bëjë drejtësi për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington nga kryeministri aktual Avdullah Hoti.
Në një intervistë për televizionin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti kritikoi ashpër marrëveshjen dhe foli veçanërisht për pikën e marrëveshjes, sipas së cilës Kosova dhe Serbia mund të përdorin bashkarisht Liqenin e Ujmanit, si furnizues të ujit dhe energjisë.
Sipas Kurtit, qeveria Hoti ‘përmes temës së Ujmanit që vendosi në negociata, ia hapi temën Serbisë për të diskutuar pronën e Kosovës’.
Kreu i LVV-së akuzoi dhe prokurorinë kosovare e cila nuk ka nisur asnjë hetim në lidhje me këtë.
“Po të kishte Kosova prokurorë të vërtetë, ata do të vepronin menjëherë. Shteti i së drejtës nuk do t’i durojë as në pushtet e as në liri, njerëzit e këtillë. Pikërisht rikthimi ynë në qeveri do ta mundësojë shtetin e së drejtës,” u shpreh Kurti.
Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë. Ai shtrihet në veri-perëndim të vendit, në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Ky liqen ka sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë.
Mbi liqen, është ndërtuar hidrocentrali nga qeveria e Kosovës dhe aktualisht ai drejtohet nga nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër-Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës.