
Albin Kurti, kreu i partisë Vetëvendosje (LVV) i ka kërkuar qeverisë që të organizojë dhe mbështesë mbrojtjen ligjore të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i parlamentit Kadri Veseli janë ndër shtatë personat e akuzuar nga gjykata e krimeve të luftës në Kosovë, të vendosur në Hagë.
Në konferencën e tij të parë për shtyp që nga arrestimet e ish-udhëheqësve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të dielën Kurti tha se hetimi i tyre gjithashtu ndikon në imazhin e UÇK-së.
“Nuk janë vetëm individët që ndiqen penalisht në Hagë, por as të pandehurit nuk mund të mbrohen si individë. Shteti i Kosovës duhet të organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve […] UÇK-ja nuk i përkiste askujt në veçanti por të gjithëve, dhe ne të gjithë duhet ta mbrojmë atë. Kjo është gjithashtu detyra e qeverisë, kjo është puna e qeverisë në veçanti”, deklaroi lideri i opozitës.
Vetëvendosja kundërshtoi krijimin e gjykatës speciale të Kosovës për krime lufte dhe votoi kundër në 2015, kur parlamenti ndryshoi kushtetutën për të krijuar hapësirë për krijimin e gjykatës.
Kurti e quajti gjykatën të padrejtë dhe të njëanshme kundër UÇK-së dhe shqiptarëve. Ai i kundërshtoi akuzat e prokurorisë në lidhje me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” brenda UÇK-së gjatë luftës me Serbinë.