Kurti: Nuk do të bëjmë koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri

Nga Exit News
Kurti: Nuk do të bëjmë koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha të hënën se “do të ketë vota të mjaftueshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë e re pa koalicione paszgjedhore”.

Sa i takon Serbisë ai tha se me të “do të hapet një kapitull i ri”.

Në lidhje me koalicion Kurti tha në një intervistë për BTA se LVV “veçse e kemi bërë koalicionin para zgjedhjeve, dhe ky koalicion parazgjedhor të cilin e kemi krijuar me listën e presidentes Vjosa Osmani, gjë që ka bërë që këto zgjedhje të parakohshme të shndërrohen në referendum të njerëzve, ku ne arritëm fitore me një lumë votash”

Për dialogun Kosovë Serbi ai tha se nuk është ndër prioritet e qeverisë duke ripërsëritur deklaratën e tij të mëparshme, që shkaktoi reagime nga pala serbe.

“Këto janë ditët që festojmë përvjetorin e 13-të të shpalljes së pavarësisë, dhe kemi vënë re se në çdo sondazh, në çdo pyetësor, opinion publik, lokal apo internacional, dialogu me Serbinë është prioriteti numër gjashtë ose shtatë”, tha Kurti.

Por kreu i LVV shtoi se “do të hapim një kapitull të ri me Serbinë përmes një dialogu të sinqertë bazuar në dyanshmëri dhe barazi, ku të dyja palët do të shpalosim marrëveshjet paraprake të këtyre gjashtë viteve të dialogut në Bruksel ku Beogradi thotë se kemi 47 marrëveshje, ndërkohë që ne insistojmë që kemi vetëm 33 të tilla, disa prej të cilave do të implementohen pjesërisht, disa plotësisht, e disa nuk do të implementohen fare”.

Ai tha se shpreson që të arrihet një dialog i ri më mbështetjen e BE dhe SHBA.

“Unë besoj se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të bëhet në kurriz të normalizimit të këtyre njësive të veçanta, përkatësisht Serbi dhe Kosovë”, tha Kurti.

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se do të vizitojë dhe do të takohet me Albin Kurtin.

Lajçak tha se “në Kosovë nuk do të mbetet më krejt njëjtë, sepse së shpejti do të kemi Qeverinë dhe Kryeministrin e ri dhe kjo qeveri do të ketë mandat shumë të fortë”.

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç tha se ndjen keqardhje që “dialogu  Kosovë-Serbi nuk është përparësi e Kurtit”.

Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>