Kreu Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka quajtur referendum dhe gjyq popullor të “politikës së keqe” zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë më 14 shkurt.
Kurti shkruan se këto zgjedhje nuk janë të parakohëshme por të vonuara. Duke qenë se data e zgjedhjeve korrespondon me ditën e Shën Valentinit, kreu i VV-së shton se “festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë.”
“Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese. Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor. Punë e arsim, drejtësi e shëndetësi. Kaq duan qytetarët. Qeveria jonë e re do të jetë shërbim i mirë. Sepse qytetari është mbreti i republikës. Me 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë.”
Kosova po mban zgjedhje të parakohshme pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që qeveria aktuale nuk është votuar në mënyrë kushtetuese pasi vota e një deputeti nuk është e ligjshme.
Pretendime janë ngritur edhe rreth të drejtës së Albin Kurtit për të kandiduar pasi ndaj tij ka vendim Gjykata të formës së prerë.
Megjithatë, zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi ka thënë për Exit Neës se:
KQZ-ja do t’i dërgojë Këshillit Gjyqësor të Kosovës listën me kandidatët e të gjitha subjekteve politike për të marrë përgjigje nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, respektivisht germën Q të këtij neni. Po ashtu, do të komunikojmë me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të parë nëse ndonjërit prej kandidatëve i është hequr e drejta për të qenë kandidat në zgjedhje me vendim të këtij institucioni.