Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është tërhequr nga ndryshimet në ligjin për zgjedhjet. Lajmin e dha ushtruesi i detyrës së Presidentit në Kosovë, Glauk Konjufca, i cili tha se këto ndryshime do të diskutohen me opozitën.
“Gjithçka që ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet, do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.
Konjufca u takua me Kurtin dhe kandidaten për president Vjosa Osmani.
“Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”, u shpreh ai.
Albin Kurti, kryeministri i Kosovës e ka kushtëzuar më herët votimin e presidentit të ri të vendit me votimin e këtij ligji. Ai u shpreh se në fillim do të votohet ligji dhe më pas do të votohet presidenti. Kurti i kërcënoi partitë duke thënë nëse nuk zgjidhet Vjosa Osmani presidente, vendi shkon në zgjedhjet të parakohshme.