Kurti: Vendimi i Kushtetueses, i papranueshëm, beteja jonë vazhdon

Nga Exit News
Kurti: Vendimi i Kushtetueses, i papranueshëm, beteja jonë vazhdon

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti e ka quajtur të papranueshëm dhe joprofesional vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos pasur zgjedhje të parakohshme.

Përmes një reagimi në Facebook, Kurti e quajti GjK-në ‘të kapur’ dhe ‘në shërbim të presidentit Thaçi’:

“Ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykates Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm.

Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten.

Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë.”

Kurti akuzoi GjK-në se nuk ka bërë një interpretim të saktë dhe profesional, as të situatën në vend e as të Kushtetutës së Kosovës:

“Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inexistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit.

Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon.

Në disa raste Gjykata në vend të interpretimit është marrë me shkrim e rishkrim të Kushtetutës.”

Kryeministri Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë betejën e saj kundër kastës së korruptuar:

“Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar.”

Më 28 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Me këtë vendim GjK-ja i dha të drejtë Presidentit Thaçi për mandatimin e LDK-së, partisë së dytë në zgjedhje, për formimin e qeverisë së re.

Ky vendim u përshëndet nga i dërguari special i SHBA-ve Richard Grenell dhe liderët e LDK-së e AAK-së që pritet të formojnë qeverinë e ardhshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>