Kush dhe si do të përfitojë pagesën 40 mijë lekë

Nga Marash Logu
Kush dhe si do të përfitojë pagesën 40 mijë lekë Biznese të mbyllura

Qeveria ka vendosur të japë një pagesë të vetme prej 40 mijë lekë për periudhën prill-qershor për rreth 176 mijë punonjës. Exit News shpjegon se kush dhe si mund të përfitojë nga kjo ndihmë.

Kush e përfiton pagesën 40 mijë lekë?

a) Personat e punësuar në bizneset e vogla—me të ardhura vjetore deri në 140 mijë lekë (rreth €112 mijë)—edhe nëse aktiviteti i tyre ka qenë i lejuar. Qeveria ka vlerësuar se janë rreth 100 mijë të tillë që nuk kanë përfituar nga paketa e parë.

b) Punonjësit e bizneseve në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve të turizmit. Qeveria ka vlerësuar se janë rreth 10 mijë persona të tillë.

c) Punonjësit e të gjitha bizneseve të mëdha (mbi 140 mijë lekë xhiro vjetore), të cilat janë mbyllur me urdhër të Ministres së Shëndetësisë;

d) Të gjithë punonjësit e pushuar nga puna në bizneset e mëdha që janë lejuar të punojnë. Përfituesit duhet të jenë pushuar nga puna para datës 10 prill dhe formulari i pushimit të tyre (E-sig027) të jetë dorëzuar pranë drejtorisë tatimore brenda datës 10 prill.

Kush nuk përfiton?

Qeveria ka përcaktuar disa kategori punonjësisht, të cilët nuk do të mund të përfitojnë pagesën 40 mijë lekë, pavarësisht se aktiviteti i tyre mund të jetë prekur nga situata e epidemies.

a) Punonjësit e bizneseve të vogla që përfituan nga vendimi i mëparshëm një pagesë mujore prej 26 mijë lekë për tre muaj;

b) Punonjësit e bizneseve të shitjes së produkteve ushqimore, përfshi fruta–perimet, dhe farmacive;

c) Punonjësit e bizneseve të profesioneve, të lejuar të kryejnë aktivitet, përfshi avokatët, noterët, mjekët, farmacistët, infermierët, veterinerët, arkitektët, inxhinierët, laborantët, projektuesit, ekonomistët, agronomët, ekspertët kontabël, financierët dhe vlerësuesit e pasurive;

d) Punonjësit që gjatë vitit 2019 kanë pasur të ardhura vjetore nga paga mbi dy milionë lekë (rreth €16 mijë);

e) Qytetarët e dypunësuar, kur të paktën një nga punëve bën pjesë tek aktivitetet që nuk përfitojnë;

f) Punonjësit e institucione shtetërore dhe ndërmarrjeve në pronësi të shtetit;

e) Punonjësit e organizatat jofitimprurëse.

 Si mund të aplikohet?

Aplikimin në të gjitha rastet duhet ta bëjë punëdhënësi apo ish-punëdhënësi për ata që janë pushuar nga puna nga bizneset e mëdha.

— Aplikimi nga punëdhënësit duhet bërë online pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet sistemit e-filing.

— Aplikimi duhet të përfshijë të dhënat e biznesit, përfshi emrin tregtar, NIPT-in, adresën e selisë, administratorin; emrin e mbiemrin, numrin e telefonit, email-in dhe të dhënat bankare të punonjësve që përfitojnë.

Miratimi dhe pagesa

— Brenda dhjetë ditëve, administrata tatimore verifikon plotësimin e kritereve për përfitimin e ndihmës financiare dhe i dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit listën e qytetarëve përfitues.

— Thesari më pas kryen pagesat.

— Në rast refuzimi të ndihmës, vendimi nuk parashikon ndonjë mënyrë ankimi.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme