“I plotësoj të gjitha kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur në këtë post, duke besuar te transparenca. E shoh Prokurorinë në kaos dhe kam aftësinë të kthej normalitetin. Prokurorët janë të hutuar, të demotivuar, pasi emërimet nuk kanë lidhje me meritat. Do bëj të zbatohen drejt ligjet.”
Kjo ishte deklarata e prokurores Arta Marku në seancën dëgjimore të Komisionit të Ligjeve, pak ditë më parë.
Sot, në një seancë plenare të tensionuar, mes kundërshtisë së deputetëve opozitarë dhe protestave të qytetarëve, prokurorja Arta Marku u zgjodh kryeprokurore e përkohshme me 69 vota pro, të gjitha vota të deputetëve socialistë, dy vota kundër dhe dy abstenim.
Zonja Marku, ndryshe nga sa do dontë të ishte zgjedhur, “me transparencë”, u betua, shpejt e shpejt, në një sallë kuvendi të mbushur me tymin e tymuesve.
Deklarata e zonjës Marku se “do të bëjë të zbatohen drejt ligjet” duket ironike, po të kemi parasysh se e gjithë procedura në të cilën Marku kandidoi dhe u zgjodh kryeprokurore e përkohshme, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ndryshimet e bëra nga reforma në drejtësi.
Kush është Arta Marku?
Arta Marku e nisi karrierën e saj në prokurorinë e Shkodrës, në vitin 2002, në të njëjtën kohë kur kryeprokuror në Shkodër ishte Ulsi Manja, tani deputet i PS-së.
Zoti Manja ishte, po ashtu, ai që propozoi emrin e Markut për postin e kryeprokurorit të përkohshëm.
Megjthëse prej 16 vitesh në prokurorinë e Shkodrës, dosjet e hetuara prej Zonjës Marku janë fare të pakta.
Zonja Marku, në mungesë të kalimit nën procedurat e verifikimit të figurës, tha përballë Komisionit të Ligjeve se nuk është proceduar asnjëherë për shkelje në punë.
Por në fakt, Zonja Marku është paditur në vitin 2008 nga ish-ministri i Drejtësisë Enkeljed Alibeaj, për mos ekzekutim të vendimit penal për një çështje. Megjithëse të gjithë akuzat binin mbi dy prokurorët e çëshjes, Arta Marku dhe Brahim Dragoshi, kryeprokurorja e atëhershme Ina Rama, nuk mori asnjë masë ndëshkimore.