Të dielën në mbremje, rreth orës 21:00 u vra Bardhok Pllanaj, 46 vjeç. Ai ishte duke udhëtuar me makinë në fshatin ‘Shkoj i Ri’, gjatë sulmit me armë. Policia njoftoi se ka rrethuar zonën dhe ka ngritur pika kontrolli.
“Veprimet po kryhen me grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi policia.
Pak metra larg vendit ku u qëllua 46-vjeçari, policia gjeti një makinë të djegur dhe 2 kallashnikovë. Ajo ka sekuestruar kamerat në zonën ku u ekzekutua Pllanaj, për zbardhjen e ekzekutimit dhe identifikimin e autorëve.
Motivi i vrasjes mendohet të jetë hakmarrja.
Pllanaj i përfolur për përfshirje në aktivitete kriminale
Në 18 mars 2015, në media u botua raporti i nëntë oficerëve të policisë ku behej me dije se me 1 tetor 2014 deputeti Frroku kishte fshehur në makinën e tij Bardhok Pllanaj, i kërkuar për trafik droge. Pllanaj ka qënë subjekt i SPAK, e cila vitin e kaluar i ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë.
Ai ka qënë i dënuar në Blegjikë për trafik të qenieve njerëzore.
Në vitin 2018, ai u arrestua për ndërtimin pa leje, të një pallati 10 katësh, me vlerë 2 milionë euro. Pas hetimeve, policia arriti në përfundimin se Pllanaj po e ndërtonte pallatin me të ardhura nga aktiviteti kriminal.