Kush ka frikë nga reforma në drejtësi?

Nga Bildo
Kush ka frikë nga reforma në drejtësi?

Qytetarët shqiptarë prej disa ditësh janë bërë dëshmitarë të kronikave të vrullshme takimesh e përplasjesh politike e diplomatike mbi çështjen shumë teknike të reformës në drejtësi, por pak kush ka arritur të kuptojë cilat janë frikërat e vërteta politike të pjesmarrësve në këtë proçes.

Ne po japim mendimin tonë mbi këtë gjë.

Frikërat që çojnë tek reforma

Qeveria Rama e do reformën në drejtësi se ka frikë se pa të do të marrë një tjetër “jo” nga Europa.

Bashkimi Europian e do reformën se ka frikë ta afrojë më shumë Shqipërinë në gjirin e tij, për shkak të korrupsionit dhe kriminalizmit të politikës, që favorizohen nga sistemi krejtësisht i korruptuar i drejtësisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e duan reformën së kanë frikë se nëse Shqipëria nuk afrohet me BE-në, ajo mund të bjerë nën influencën e rusëve ose kinezëve apo, më keq, të ekstremistëve islamikë.

Frikërat nga reforma

Berisha ka frikë që nëse Rama, sikurse parashikon drafti i reformës, merr në dorë emërimin e një prokurori të ri të përgjithshëm, ai praktikisht do të ketë në dorë të gjitha pushtetet në vend dhe ky është lajm i keq për të politikisht, por edhe personalisht.

Meta ka frikë që me një prokuror të përgjithshëm të zgjedhur nga Rama, ai mund të përfundojë në burg, jashtë qeverisë ose, në rastin më të mirë, do të jetë nën presion të vazhdueshëm kërcënues nga Rama, duke u bërë i parëndësishëm politikisht.

Prokurori i Përgjithshëm ka frikë se refoma ka si qëllim kryesor shkarkimin e tij dhe do t’i japë fund mandatit të tij.

Rilindasit e mesëm e të vegjël kanë frikë se, me qëllim për të dhënë shfaqje dhe për të shpëtuar të mëdhenjtë, Rama mund të fusë ndonjë prej tyre në burg, duke hapur kështu rrugën për t’ju kthyer burgosjeve të opozitarëve.

Demokratët kanë frikë se ish-minsitrat dhe ish-drejtorët mes tyre do jenë shenjestra e vërtetë e Ramës, për të treguar që po e lufton korrupsionin dhe po bën drejtësi.

LSI-stat kanë frikë se, për të balancuar paksa raportin e burgosjeve pozitë-opozitë, shumica e atyre që Rama do shënjestrojë nga pozita do të jenë LSI-sta; sikurse e dinë që nëse duhet sakrifikuar një peshk i madh nga pozita ai do të jetë Meta e pa të nuk ka më LSI.

Gjyqtarët kanë frikë se disa prej tyre do të bëhën kokë turku e secili mendon kokën e vet.

Duket të gjitha palët kanë frikë nga një reformë që paraqitet si shumë e ndërlikuar dhe që me shumë vështirësi, mund të arrijë ndonjë rezultat të pritshëm në eliminimin e korrupsionit të sistemit gjyqësor.

Kush nuk ka frikë?

Ka dhe nga ata që nuk kanë asnjë frikë nga reforma.

Edi Rama nuk ka frikë pasi ajo veçse do i japë atij gjithë pushtetin në vend dhe të gjitha instrumentat që të bëjë çfarë të dojë dhe kundër kujt të dojë.

Populli i thjeshtë nuk ka frikë, madje nuk ka as shpresë, sepse e di që, në fund të ditës, reforma nuk do të ndryshojë asgjë. Sa reforma historike dhe shpëtimtare ka parë ky popull!

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>