Kuvendi miratoi sot rezolutën e nisur nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit Meta, e cila do të disktuohet të enjten në seancë plenare.
Kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla filloi mbasditen e djeshme mbledhjen e firmave të deputetëve dhe sot e dorëzoi rezolutën në kuvend për tu miratuar në Konferencën e Kryetarëve.
Kjo e fundit e miratoi rezolutën, sipas së cilës:
– Dekreti i presidentit për anulimin e datës 30 qershor si data e zgjedhjeve vendore është nul dhe antikushtetues;
– Dekreti i Presidentit ka cënuar barazinë e konkurimit politik;
– KQZ ka vepruar në përputhje të ligjit duke mosnjohur dekretin e Presidentit dhe ajo duhet të vazhdojë me procedurat për organizimin e zgjedhjeve;
– Kuvendi do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit.
Kjo projekt rezolutë do të kalojë në seancën e ditës së enjte për tu diskutuar. Kushtetuta, në neni 90 pika 2, parashikon se projekt-rezoluta miratohet me votën e 93 deputetëve. Por procedura e shkarkimit nuk mbaron me votimin në Kuvend.
Së pari vendimi i Kuvendit duhet të jetë i arsyetuar se përse Presidenti ndodhet në dy rastet e parashikuara për shkarkim, siç e parashikon neni 90, pika 2:
“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.”
Së dyti shkarkimi i Presidentit është kompetencë eskluzive e Gjykatës Kushtetuese, sipas neni 131 pika dh të Kushtetutës. Por Gjykata Kushtetuese ka gati dy vite që nuk funksionon, pasi ajo ka mbetur vetëm me një anëtar për shkak të procesit te vetingut.
Ndërkohë Taulant Balla në një intervistë ditën e djeshme është shprehur:
“Rezoluta që pritet që të miratohet u drejtohet institucioneve, janë detyra që u lihen institucioneve, detyra për të vijuar Kushtetutshmërinë, pra që të vijohet me përgatitjet për 30 Qershorin.”
Ndërkohë për mungesën e Gjykatës Kushtetuese ai u shpreh:
“Gjykata në fund të korrikut do të jetë me anëtarë të rinj. Funksionaliteti mund të jetë në fillim të shtatorit.Presidenti është në detyrë deri kur vendimi për shkarkimin e tij të certifikohet nga Gjykata Kushtetuese.”