Pasditen e së premtes u zhvillua edhe takimi i dytë mes kryeminsitrit kosovar, Albin Kurtit dhe të Dërguarit të Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një prononcim për gazetarët pas takimit ky i fundit konfirmoi deklaratën e mëparshme të Kurtit se në qendër të takimeve nuk kanë qënë arkivat e UÇK-së.
Ai u shfaq i befasuar nga debati i javës së fundit në Kosovë, pasi sipas tij kjo pikë kishte gjetur dakordësi në të shkuarën me Serbinë.
“S’ka pasur diskutim të caktuar për arkivat. Jam i befasuar se sa e nxehtë si temë është bërë kjo në shoqërinë dhe mediat tuaja. Ajo që është thënë ka qenë vetëm rikonfirmim i asaj që është thënë disa herë në të kaluarën se s’ka pengesa nga asnjëra palë që t’u qasemi arkivave,” u shpreh Lajçak.
Ai shtoi se gjithçka ishte një keqkuptim dhe se kreu i delegacionit kosovar Besnik Bislimi, pas takimit me delegacionin serb në Bruksel, kishte deklaruar se s’ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkiva shtetërore.
Ai nuk komentoi zotimin e kryeministrit Kurti për rikthimin e reciprocitetit, por tha se vizita e radhës ishte në Serbi dhe la të kuptohej se me palët po dakordësohej për takimin e radhës me Vuçiç në Bruksel.