I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u shpreh kundër ultimatumeve të martën. Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të vendosin vet se sa shpejt do të ec procesi i dialogut. Ai tha se “ultimatumet nuk e ndihmojnë dialogun”.
I dërguari i BE tha se është “qëllimi i BE-së për ta arritur këtë marrëveshje dhe në të janë të fokusuar”.
BE-ja është e gatshme kurdo që të ndihmojë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tha Lajçak, por varet nga dy shtetet se sa duan të ndihmojnë tha ai.
“Mund të kryhet brenda disa muajsh, nëse palët janë të përkushtuara dhe të gatshme për këtë. Andaj, ky është qëllimi im. Kështu që, janë palët ato që vendosin, Bashkimi Evropian pa dyshim se nuk është ai që po e ngadalëson procesin dhe njëherësh, përcaktimi i ultimatumeve do të ishte diçka artificiale dhe nuk mendoj se do ta ndihmonte procesin”, tha Lajçak.
Harta e rrugës në këtë dialog është “definuar qartësisht dhe është dakorduar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në korrik të vitit të kaluar”, tha Lajçak.