Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajcak, do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën javën e ardhshme, ka mësuar Tanjug.
Para vizitës, të hënën, 12 tetor, Lajcak do të informojë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, për herë të parë në mandatin e tij, për atë që është arritur deri më tani nga dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës.
Që nga rifillimi i dialogut në korrik 2020, tre takime të nivelit të lartë janë mbajtur midis Presidentit Serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit të Kosovës Avdulah Hoti.
Gjithashtu u zhvilluan pesë tavolina bisedimesh me ekspertë, të udhëhequr nga kryenegociatorët Marko Đurić dhe Skender Hyseni.
Pas progresit fillestar në çështjen e personave të humbur, të zhvendosur dhe detyrimeve ekonomike, dialogu aktualisht po përballet, siç vlerëson BE, me një çështje sfiduese atë të Asociacionit të Komunave Serbe.
BE thekson se ambicia dhe mandati i tyre është të bien dakord mbi një tekst për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha çështjet e hapura që do të mbyllen njëherë e përgjithmonë.
Shtohet se marrëveshja përfundimtare është “më shumë se një dokument politik” dhe se ajo duhet të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme.