Vaksina eksperimentale kundër Covid-19 e kompanisë Moderna ka mundur të sigurojë imunitet tek të gjithë pjesëmarrësit në testimet provë.
Sipas The Hill, rezultatet fillestare treguan se vaksina në përgjithësi ishte e sigurt dhe u tolerua mirë nga trupi i 45 vullnetarëve, pa shkaktuar asnjë efekt anësor.
Studimi tregoi se disa antitrupa u prodhuan në trupat e pacientëve pas një doze të vaksinës, por një dozë e dytë katër javë më vonë ishte e nevojshme para se vullnetarët të tregonin imunitet të fortë.
Rezultatet janë “inkurajuese dhe paraqesin një hap të rëndësishëm përpara në zhvillimin klinik të mRNA-1273, kandidati ynë për vaksinë kundër COVID-19”, tha në një deklaratë Shefi Ekzekutiv i Moderna Stéphane Bancel.
Ende ka shumë të panjohura për imunitetin, përfshirë nëse antitrupat mbrojnë vërtet nga virusi dhe sa mbrojtje do të fitohej.
Moderna pritet të fillojë një studim në shkallë shumë më të gjerë të vaksinës në 27 korrik, një fazë e tretë prove me 30 mijë pjesëmarrës në 87 vende.
Qëllimi kryesor i testimit do të jetë parandalimi i simptomave COVID-19. Moderna tha se pikat dytësore kryesore do të përfshijnë parandalimin e rasteve të rënda me COVID-19, pra parandalimin e simptomave të rënda që kanë nevojë për trajtim në spital dhe parandalimini infeksionit nga koronavirusi.