Largimi masiv i shqiptarëve — në 7 vite u larguan 330 mijë shqiptarë

Largimi masiv i shqiptarëve — në 7 vite u larguan 330 mijë shqiptarë

330 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë 7 viteve të fundit.

Revista Monitor ka publikuar të dhënat e INSTAT për emigrimin nga viti 2011 deri në vitin 2017.

Shqiptarët e larguar përbëjnë një popullsi më të madhe se popullsia aktuale e Fieri, qarkut të dytë më të madh në vend, i cili ka 302 mijë banorë.

Sipas të dhënave, numri më i lartë i shqiptarëve të emigruar është në vitin 2011 me 52 mijë persona. Në vitin 2017 kjo shifër ishte 40 mijë persona.

INSTAT thekson se pavarësisht se në vitet e fundit, është vënë re një tendecë për tu kthyer e shqiptarëve që prej vitesh kanë jetuar jashtë, sërish numri i atyre që largohen është më i lartë.

Numri i lartë i shqiptarëve është bërë shqetësim dhe për Bashkimin Europian.

Sot, BE nënshkroi me Shqipërinë, përmes Komisionerit Avramopoulos, një marrëveshje për ruajtjen e kufijve të BE-së nga emigrantët e paligjshëm dhe krimi i organizuar shqiptar.

Komisioneri Avramopoulos foli për “nevojën për të ulur numrin e atyre që abuzojnë me liberalizimin e vizave, pasi të gjithë duam të vazhdojmë ta kemi atë.”

Holanda dhe Franca shpeshherë kanë përmendur kthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë si të vetmen mundësi për të ndalur fluksin e madh të emigrantëve shqiptarë dhe kriminalitetit në rritje.

Ligjërisht ekziston mundësia që këto shtete të kërkojnë nga Komisioni Evropian pezullimin e liberalizimit të viave për Shqipërinë.

Mekanizmi i pezullimit për marrëveshjet e liberalizimit të vizave, duke përfshirë atë me Shqipërinë, rregullohet përmes Rregullores së BE-së 1289/2013. Sipas kësaj rregulloreje, përjashtimi nga regjimi i vizave për një vend të tretë mund të pezullohet përkohësisht kur kemi të bëjmë me “një situatë emergjence”. Një situatë e tillë mund të ndodhë për shkak të rritjes së papritur të emigrantëve të parregullt, kërkesave për azil apo kërkesave të refuzuara për ripranim.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>