LDK e bindur do të ruajë elektoratin që kishte në zgjedhjet e kaluara

Nga Exit News
LDK e bindur do të ruajë elektoratin që kishte në zgjedhjet e kaluara

Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh të premten se është e bindur  se të paktën do t’i ruajë votat që i kishte në zgjedhjet e kaluara.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK doli si forcë të dytë në Kosovë, pasi e para u rendit Lëvizja Vetëvendosje.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, tha për mediat e Kosovës se është e mundur që edhe të shtohen këto vota në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen për pak javë.

 “Pritjet tona janë shumë pozitive, besoj që do t’i ruajmë, ndoshta t’i rrisim votat që i kemi pasur. Ato çka i dëgjojmë janë fabrikime, lajme të rrejshme, ato që i kemi pa tash e disa vite fatkeqësisht, partitë politike ose individët, ose disa të veshur edhe në petkun e analistit shpërndajnë lajme të rrejshme. Synojmë të fitojmë me ekipin dhe njerëzit ma të mirë të vendit”, tha ai.

Në zgjedhjet e kaluara LDK fitoi 24.5 për qind të votave, 1.7 për qind më pak se VV-ja.

Abrashi tha se qeveria ku bën pjesë po kryen punë të mira.

“Kryeministri Hoti po bën një punë të mirë, e ka marrë qeverisjen në një kohë të vështirë. Shpesh herë është akuzuar në formën se si e ka marrë qeverisjen, por ka qenë një vendim i Gjykatës Kushtetuese ashtu siç na tregojë tash Kushtetuesja, por punën e ka bërë shumë të mirë”, tha Abrashi.

LDK ende nuk e ka zgjedhur ende kandidatin për kryeministër. Abrashi tha se do të vendoset pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.

“Ne do të ftojmë një mbledhje të kryesisë ditëve në vijim, aty do të dëgjojmë edhe anëtarët e Kryesisë dhe orientimet e kryetarit dhe të kryetarëve të degëve. Pas asaj i shpalosim të gjitha”, tha ai.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti të pavlefshme.

Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>