
Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK ka kërkuar një marrëveshje të gjerë për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se në bisedimet për këtë çështje duhet të përfshihet i gjithë spektri politik.
“Para se të dalim me një emër të veçantë bashkë me partnerët e koalicionit qeveritar, duhet të arrijmë marrëveshjen politike për këtë çështje. LDK nuk lidhet me emra të përveçëm, në këtë fazë, por kërkon marrëveshje më të gjerë”, tha Haziri.
Më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës pas arrestimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Vendin e tij e zuri Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, deri në zgjedhjen e një presidenti të ri.
Partia e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar për president Ramush Haradinaj, por kjo kandidaturë nuk u pranua nga LDK.
Partia e opozitës Vetëvendosje ka kërkuar zgjedhje të reja dhe më pas zgjedhjen e presidentit të ri. Ndërsa PDK, partia e dytë e opozitës ende nuk është shprehur për këtë çëshjte.