Nisja e vaskinimit në Gjermani ka nxitur debate mes politikanëve dhe ekspertëve për heqjen e kufizimeve për individët që vaksinohen.
Këshilli i Etikës Gjermane të enjten foli kundër kësaj ideje, ndërsa të tjerë sygjeruan lehtësime për të vaksinuarit.
Gjatë javëve të fundit, agjencitë e turizmit dhe disa politikanë sugjeruan lejimin e udhëtimit për ata që janë vaksinuar apo që ata të kenë prioritete si të shkuarit në restorante, marrja pjesë në koncerte dhe aktivitete të tjera.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas ishte politikani i parë që foli në favor të heqjes së kufizimeve.
“Dikush që nuk mund të sëmuret rëndë me koronavirusin nuk do të ketë nevojë për kujdes intensiv dhe nuk do ta ngarkojë sistemin e kujdesit shëndetësor. Ndaj ai nuk duhet të vuajë më kufizime për të drejtat dhe liritë e tij themelore,” i tha ai gazetës Bild në janar.
Propozime të tilla janë pritur me kritika, për shembull nga kryetarja e partisë së Majtë Katja Kipping, e cila nxiti respektimin e kushteve të lirisë dhe barazisë në kushtetutën gjermane.
Kancelarja Angela Merkel gjithashtu përjashtoi rregulloret e veçanta këtë të hënë.
Vaksinimi anti-Covidit nuk është i detyrueshëm në Gjermani.
Bërja e dallimit midis të vaksinuarve dhe atyre të pavaksinuar “do të ishte e njëjtë me një vaksinim të detyrueshëm,” u shpreh Ministri i Brendshëm Horst Seehofer.
Këshilli i etikës të enjten theksoi se duhej sqaruar së pari nëse njerëzit e vaksinuar ende mund të jenë në gjendje të transmetojnë virusin. Vetëm nëse kjo do të përjashtohej, mund të merret në konsideratë ndonjë përjashtim nga rregullat, siç janë mbajtja e maskave në vende publike.
Danimarka po planifikon për përdorimin e një pasaporte dixhitale me të cilin njerëzit të jenë në gjendje të provojnë se janë të vaksinuar dhe të kenë lehtësira.
Ndërsa Estonia ka vendosur të lejojë udhëtarët, të cilët kanë një dokument të vaksinimit, të hyjnë në vend.