Studentë dhe aktivistë të Lëvizjes për Universitetin kanë bërë të martën një aksion për të denoncuar mësimin online dhe për të kërkuar anulimin e tarifës universitare.
Ata kanë bërë grafiti në rrugët e kryeqytetit ku kanë shkruar: “Kemi Tarifa S’kemi Universitet” dhe “Dijen na e mohojnë , tarifat na i kërkojnë”.
Në një njoftim në Facebook, LPU shkruan se nuk do të ndalen deri në anulimin e tarifës të cilën e konsiderojnë absurde në një situatë si kjo e pandemisë.
Pak ditë më parë LPU denoncoi Rektoratin e Universitetit të Tiranës se po tallet me ta, duke mos i kthyer përgjigje për anulimin e tarifës.
Më herët Lëvizja për Universitetin i ka dërguar një peticion me 8 mijë firma Ministrisë së Arsimit ku kërkonte anulimin e tarifës në kushtet e mësimit online.
Kërkesën e tyre studentët e mbështesin edhe në studime të cilat dëshmojnë se sa efektiv ka qenë mësimi online.
Sipas një studimi të LPU 60% e studentëve shprehen të pakënaqur për mënyrën se si po zhvillohet mësimi online.
Në studim morën pjesë 1570 studentë.
Studimi nxori në pah se 44.5% kanë akses të pjesshëm në internet dhe mbi 70% janë të detyruar t’i ndjekin leksionet përmes telefonit celular.
Ndërkohë të hënën disa studentë të tjerë, pjesë e “Studentët Denoncojnë” i dërguan qeverisë një peticion ku kërkonin rikthimin në auditore.