Nuk ka nevojë për një ligj special të medias

Nga Megi Ndregjoni
Nuk ka nevojë për një ligj special të medias

Ulsi Manja, kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, u shpreh dje se gjatë një dëgjese në komisionin që drejton se qëllimi i propozimit të dy ligjeve për median është të ndihmojë qytetarët në rast se ata cënohen nga media.

Por shqetësimi për qytetarët duket se është mbulesë për mbrojtjen e vërtetë: ligjet synojnë mbrojtjen e qeveritarëve dhe politikanëve nga vështrimi dhe zhbirilimi i medias.

Së pari, në Shqipëri është shqetësues cënimi i qytetarëve nga media—të dhënat për numrin e ankesave apo paditë të qytetarëve ndaj medias tregojnë se nuk ka një gje problematike sa të kërkojë ndërhyrje legjislative.

Së dyti, kuadri ligjor i tanishmë në fuqi ofron mbrojtje të mjaftueshme ndaj cënimit të jetës private të qytetarëve, në përputhje me standardet perëndimore.

Shpifja dhe ‘ndërhyrja e padrejtë në jetën private’ janë vepra penale, një standard shumë i shtrënguar që nuk ekziston në shumë vende. Kodi Penal i ushton dy nene këtyre veprave, nenin 120 dhe 121 që parashikojnë dënime deri në dy vjet burgim.

Nga ana tjetër, Kodi Civil parashikon dëmin jopasuror në rastet kur:

“[…] është cenuar nderi, personaliteti ose reputacioni… apo është cenuar respektimi i jetës private.”

Pra, qytetarët mund të denoncojnë në prokurori ose të padisin në gjykatë çdo gazetar apo përgjegjës në media për shpifjen apo cënimin e jetës së tyre private.

Në fakt, projektigjet e propozuara nuk ofrojnë asnjë mbrojtje shtesë dhe vetëm sa vështirësojnë dhe ndërlikojnë rrugën ligjore qytetarit. Kështu sipas nenit 51/1 të ligjit, së pari qytetari duhet të depozitojë ankesën pranë medias, nëse ajo nuk kthen pëgjigje apo refuzon të përgjigjet brenda 3 ditëve nga kërkesa, qytetari duhet t’i drejtohet Këshillit të Ankesave pranë AMA. Mbasi të marri vendim Këshilli, ky vendim mund të apelohet në gjykatë.

Nëse shumica socialiste i konsideron përcaktimet e tanishme penale dhe civile si të pamjaftueshme, zgjidhja e duhur është të ndërhyjë në këtë legjislacion por jo të krijojë ligj të posaçme dhe hallka e burukracie shtesë.

Këtë qëndrim ka mbajtur dhe OSBE në vlerësimin e fundit që u ka bërë projektligjeve. OSBE iu drejtua Kuvendit pikërisht me pyetje se “pse duhet që e njëjta përmbajtje e lajmit t’i nënshtrohet një regjimi të ndryshëm ligjor?”

Një arsye tjetër që ofroi Zoti Manja për të mbështetur propozimet e tij është pretendimi i tij se gjykatat shpeshherë nuk kanë mundur të detyrojnë median online të heqë artikujt apo pjesë artikujsh që gjykata ka vendosur se cënojnë qytetarin.

Në fakt edhe kjo gjë është e gabuar. Media online mund të dënohen me gjobë nëse vendosin të mos zbatojnë vendimin dhe të mos heqin artikujt.

Zbatimi i vendimeve të gjykatave në fakt është problem më i gjërë se sa rasti i mediave, por ky problem është problem i forcimit të zbatueshëmrisë dhe nuk zgjidhet duke shtuar numrin e ligjeve.

Por duket se projektligjet më shumë se sa mbrojtjen e qytetarëve duket se synojnë dënimin e mediave.

Pavarësisht kundërshtisë së gjërë publike, të mediave dhe shoqatave të tyre dhe të OSBE-së  shumica socialiste duket e vendosur të miratojë projektligjet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>