Deri më tani, policia ka arrestuar 30 persona dhe ka shpallur në kërkim 27 të tjerë lidhur me tensionet dhe përplasjet nëpër KZAZ-të e disa prej bashkive të vendit.
Në Mat, policia procedoi 33 persona dhe arrestoi 9 prej tyre lidhur me tensionet dhe përplasjet para KZAZ-ve. Mes të arrestuarve është dhe administratori i njësisë administarative Suç, Klos.
Ndërsa në Kavajë, policia arrestoi 5 persona, mes të cilëve dhe dy punonjës të bashkisë.
Mbrëmjen e djeshme në Kavajë pati përplasje mes qytetarëve që tentuan të hynë në ambientet e KZAZ nr.42 për të nxjerrë materiaret zgjedhore, dhe policisë. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët.
Të gjithë qytetarët e arrestuar akuzohen për “prishje të qetësisë publike”, “dëmtim të materialeve zgjedhore” dhe “organizim të grumbullimeve të paligjshme”.
Deri më tani 18 bashki kanë kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e respektuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve vendore më 30 qershor. Pas kërkesave publike ndaj Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) për “lirimin e ambienteve që do të përdoreshin për zgjedhje” dy ditët e fundit janë shënuar përplasje mes policive bashkiake, policisë së shtetit dhe qytetarëve të ndryshëm.
18 bashki kanë kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e respektuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve vendore më 30 qershor. Pas kërkesave publike ndaj Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) për “lirimin e ambienteve që do të përdoreshin për zgjedhje” dy ditët e fundit janë shënuar përplasje mes policive bashkiake, policisë së shtetit dhe qytetarëve të ndryshëm.
Si fillim bashkitë Shkodër, Skrapar, Kukës, Mat, Kavajë, Delvinë dhe Gjirokatër, i kërkuan më 14 qershor KZAZ-ve lirimin e hapësirave. Këto bashki argumentuan se do të zbatonin dekretin e Presidentit Ilir Meta, i cili ka shfuqizuar dekretin që e përcaktonte datën 30 qershor si datë zgjedhjesh vendore. Shembullin e këtyre 7 bashkive e ndoqën edhe bashki të tjera.
KQZ nuk e ka marrë në konsideratë dekretin e Presidentit. Kështu, KQZ ditën të hënën, i kundërshtoi kërkesat e bashkive duke u shprehur se “janë në tejkalim të kompetencave”. KQZ u bëri thirrje të gjitha bashkive që “të shmangin veprimet që pengojnë administrimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit”. Vendimi i KQZ-ës u mbështet nga Ministria e Brendshme, e cila garantoi praninë e policisë për të mbrojtur KZAZ-ët.
Sidoqoftë të martën në Shkodër, Tropojë e Lezhë grupime të shumta njerëzish mësynë ambientet e KZAZ-ve për t’i liruar ato. Krahas largimit të materialeve zgjedhore pati edhe dëmtime të godinave, ku u thyen xhama, u shkallmuan dyer si dhe një klase të një shkolle në Shkodër iu vu zjarr. Mediat raportuan se gjatë mbrëmjes së të martës, për këto ngjarje, policia arrestoi 12 persona dhe shpalli në kërkim 20 të tjerë.
Shembullin e këtyre qyteteve e morën edhe qytete të tjera ditën e mërkurë.
Burreli shënoi përplasjet më të mëdha. Një grup njerëzish teksa po kërkonte me ngulm lirimin e hapësirave të KZAZ-ve u sulmua nga policia me gaz lotsjellës. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) u dërguan për të shpërndarë turmën. Një person mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua me helikopter në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Pas rreth dy orësh përplasje me policinë turma ia doli të lironte ambientet e KZAZ-s duke larguar dhe duke u vënë flakën materialeve zgjedhore. E njejta situateë ndodhi edhe në Bashkinë Klos.
Në Berat, një grupi njerëzish të cilët u përpoqën të lironin ambientet nga materialet zgjedhore u ndaluan nga policia. Duke parë videot filmike, njëjtë si në Skrapar, policia tha se kishte referuar 40 persona në gjendje të lirë. Njësoj ndodhi në Pogradec dhe Bilisht, të cilat pas përplasjeve me policinë, i lanë afat KZAZ-ve deri të enjten për të liruar ambientet.
Ndërkohë në Kukës, policia, pasi përdori gaz lotsjellës dhe ndërhyrjen e FNSH-së, shmangu përshkallëzimin e situatës duke i liruar vetë hapësirat e KZAZ-s së qytetit në gjimnazin Havzi Nela. Për këto ngjarje u arrestuan 4 persona dhe u shpallën në kërkim 7 të tjerë.
Tensione u regjistruan edhe në Kamëz dhe Vorë. Në keëto bashki policia kërkoi të ndalonte lirimin e hapësirave të marra nga KZAZ-ët për zgjedhjet.
Në një njoftim për mediat bashkitë që kanë kërkuar lirimin e hapësirave kanë bërë gjithashtu me dije se do të depozitojnë kallëzim Penal ndaj anëtarëve të KZAZ-ve dhe të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprave penale “kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “shpërdorimi i detyrës”.