Anëtari i Bandës së Durrës Plaurent Dervishaj nuk do të ekstradohet për në Shqipëri. Autoritet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë refuzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e Dervishajt.
Sipas Report TV, Dervishaj u lirua nga burgu në Dubai, të premten, pasi materialet nga Shqipëria kanë mbërritur me vonesë. Ai u arrestua më 10 dhejtor nga Emiratet e Bashkuara pasi ishte shpallur në kërkim nga Shqipëria.
Plaurent Dervishaj është një prej drejtuesve të bandës së Durrësit sëbashku me Lulëzim Berishën. Ata akuzohen për vrasjet e Dritan Sallakut, Marsel Sotirës, Ilir Nelajt, Viron Currit dhe Arjan Pajës, që u kryen në vitet 1998-2000. Të gjithë anëtarët e kësaj bande u arrestuan në vitet 2005-2006, por Plaurent Dervishaj i shpëtoi autoriteteve.
Në vitin 2012, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e dënoi në mungesë me burgim të përjetshëm. Kjo gjykatë dha të njëjtin dënim edhe për anëtarë të tjerë përfshirë kreun e saj, Lulëzim Berishën. Vendimi bazohej kryesisht te dëshmitë e anëtarit të penduar Adriatik Coli.
Edhe pse u dënua me burgim të përjetshëm, Plaurent Dervishaj nuk bëri asnjë ditë burg. Ai mbeti në kërkim ndërkombëtar deri në korrik 2014, kur Gjykata e Lartë rrëzoi një pjesë të dëshmive të Adriatik Colit dhe vendosi ta çonte çështjen e tij për rigjykim.
Nga trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë, dy nga 5 anëtarët e vitit 2014, ishin kundër këtij vendimi. Admir Thanza e Ardian Dvorani gjykuan se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda nuk duhej të ndryshohej as për Berishën, as për Taullain, dhe as për Plaurent Dervishajn. Sipas tyre, ata duheshin lënë përjetë në burg, ashtu si Endrit Dokle.
Deri më sot nuk ka asnjë të dhënë online në sistemin gjyqësor, që të tregojë se çështja ndaj Plaurent Dervishajt u çua për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Që prej korrikut të vitit 2014 ai është i lirë, njësoj si kunati i tij, i cili u lirua nga burgu në fund të vitit 2016.