Lleshaj: Nuk kam pasur gisht në tenderin e uniformave, kam kërkuar hetim

Lleshaj: Nuk kam pasur gisht në tenderin e uniformave, kam kërkuar hetim

Ish- Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi të dielën se nuk ka pasur gisht në tenderin e uniformave, për të cilin u arrestuan nga SPAK 8 zyrtar, pasi posti i tij nuk i jepte autoritet mbi prokurimet.

“Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha, as autoritet ligjor, për t’u përfshirë në asnjë procedure konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol,” u shpreh Lleshaj në një intervistë për ABC Neës.

Lleshaj deklaroi se ai ka kërkuar hetim për tenderin një vit më parë dhe se me rastin nuk duhet të bëhet politikë.

“Unë kam kërkuar publikisht që në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me këtë rast janë për t’u refuzuar,” tha Lleshaj.

Në korrik 2019, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë hapi një tender, me procedurë të ‘kufizuar’, me vlerë 23 milionë euro, për uniformat e policisë deri në vitin 2023. Fituesi i tenderit u shpall në prill 2020, nga bashkimi i kompanive D&E shpk, Summer conf. s.r.l, Lovers s.r.l dhe Yakupoglu tekstil ve deri san. tic. as a. Vedat Yakupoglu.

Kundër fituesit të tenderit u ankua kompania Marsi-al, me pretendimin e modifikimit të dokumneteve të tenderit.

Ky tender u denoncua në SPAK, në gusht 2020, nga grupi parlamentar “Demokrat” i opozitës parlamentare. Ata kallëzuan në prokurori 2 ministra dhe 4 zyrtarë përgjegjës për tenderët publikë në lidhje me tenderin prej 23 milionë eurosh të uniformave të punonjësve të policisë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>