Lombardia ashpërson masat, ndalon çdo gjë

Nga Exit News
Lombardia ashpërson masat, ndalon çdo gjë

Rajoni i Lombardisë vuri sot në zbatim masa edhe më të ashpra kundër përhapjes së koronavirusit duke ndaluar punën dhe ushtrimin e sporteve individuale deri më 15 prill.

Mbrëmjen e së shtunës qeveria italiane vendosi masa shtesë duke pezulluar edhe aktivitetet e fabrikave, kjo pasi vendi u trondit me 1 420 vdekje në më pak se 48 orë duke bërë që numri total i viktimave të shkojë në 4 825.

Lombardia është rajoni më i prekur në Itali. Atje janë diagnostikuar rreth 50 për qind të rasteve dhe treçereku i viktimave – më saktë 25 515 të infektuar dhe 3 095 vdekje.

Në këtë rajon të gjitha bizneset janë mbyllur, studiot profesionale, zyrat, artizanati, tregjet e hapura, qendrat e mëdha tregtare etj.

Po kështu janë mbyllur zyrat publike, përveç atyre të autoriteteve shëndetësore, policisë dhe emergjencave.

Punojnë vetëm sipërmarrjet e shërbimeve jetike. Farmacitë, bankat dhe supermarketet, të cilat detyrohen të garantojnë distancën fizike të klientëve.

Ndër masat e vendosura, ndalohet totalisht ushtrimi i veprimtarive sportive, si atletika apo motoçiklizmi, qoftë dhe kur këto veprimtari ushtrohen në mënyrë vetjake.

Për të gjitha këto masa shtesë, nëse thyhen parashikohet deri në 5 mijë euro gjobë.

Lombardia mbetet në shtetrrethim prej datës 8 mars. Qeveria e ka cilësuar si situatën më kritike të pas-Luftës së Dytë Botërore.

Pas Lombardisë, Emiglia Romagnia është zona e dytë më e prekur me 6 705 persona të diagnostikuar, 715 prej të cilëve kanë vdekur dhe vetëm 329 janë shëruar.

Në total e gjithë Italia ka 53 578 raste të diagnostikuara me koronavirus nga mbi 233 mijë testime të kryera. Aktualisht kanë mundur të shërohen diçka më shumë se 6 mijë njerëz.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>