Nënkryetari i LSI Petrit Vasili akuzoi të shtunën SPAK se po tregohet e njëanshme në lidhje me ngjarjen e Elbasanit.
Ai tha se ngjarja ishte paralajmëruar kohë më parë.
“Pasi Prokuroria e këtij rrethi, e kapur politikisht ishte e prirur dhe me mision të përcaktuar, për të mbajtur një qëndrim të njëanshëm, selektiv, ndaj mbështetësve dhe anëtarëve të opozitës shqiptare dhe të mos kishte në asnjë moment si mision të saj një qëndrim të paanshëm, që të ndihmonte zgjedhjet”, tha Vasili në një deklaratë për media të shtunën.
Ai tha se më 10 mars, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe i ka i tërhequr vëmendjen për veprime të menjëhershme që duheshin marrë në këtë prokurori.
“Pasi drejtuesi i saj Kreshnik Ajazi, ishte vëllai i një prej kandidatëve të Rilindjes në qarkun e Elbasanit. Dhe dukshëm veprimet dhe mosveprimet lidheshin me një anshmëri të drejtpërdrejtë dhe konkrete. Pra një prokurori e tillë qartësisht partiake, nuk mundi të përballonte situatën në Elbasan, por përkundrazi do të ndihmonte në përkeqësimin e saj”, sqaroi ai.
Sipas Vasilit, ngjarjet që rrodhën treguan misioni i kësaj prokurorie ishte “pikërisht në drejtim të mbështetjes së Rilindjes”.
“SPAK e Prokurori të kapura të cilat mbyllin sytë, lidhin duart, në mënyre që ti japin hapësirë Rilindjes”, tha Vasili.