Lëvizja Socialiste për Integrim premtoi, të dielën, që me ardhjen e opozitës në pushtet, në Durrës do të krijohen Zona të Lira Ekonomike, ku taksat për sipërmarrësit do të jenë të ulta dhe një pjesë e tyre do të hiqen.
Gjatë prezantimin të programit ekonomik në Durrës, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi theksoi se zonat e lira ekonomike nxisin sipërmarrësit të investojnë, të punësojnë më shumë dhe të krijojnë mirëqenie.
Drejtuesja Politike e Durrësit, Elona Guri deklaroi se kjo nismë do të tërheqë investorët e huaj.
“Duhet ta kthejmë Shqipërinë në shtëpinë e investimeve, që investitorët e huaj me potencial të mos shohin drejt Maqedonisë, Serbisë apo vendeve të tjera në rajon, por le të vijnë në Durrës, të punojnë me durrsakët, të krijojnë vende pune në Shqipëri,” u shpreh ajo.
Guri akuzoi Ramën se ka përzënë sipërmarrësit e huaj sepse ‘do që ekonomia shqiptare të jetë monopol i oligarkëve.”
Ndërsa Kryemadhi i bëri thirrje qytetarëve që në 25 prill të votojnë për të rrëzuar qeverinë Rama dhe për të çliruar ekonominë.