Dega e LSI-së Bulqizë reagoi të premten mbi akuzat e selisë së PS se personat e arrestuar për shitje vote në Maqellarë i përkasin kësaj force politike.
Përmes një statusi në Facebook, LSI zbulon se një nga të arrestuarit, Dionis Gjoli ka promovuar vazhdimisht në rrjetet sociale PS dhe figurat e saj.
“Aq ngushtë janë zënë drejtuesit e sektit “Rilindja” në Dibër, #Dionisi & Co, saqë në vend që minimalisht të distancohen ose tek e fundit, të heshtin përballë turpit të tyre të faktuar, ata mundohen të sheshin njerëzit e tyre si eksponentë të LSI,” shkruan LSI.
Deklarata shton se fotot ekspozojnë se kujt i përkasin të akuzuarit për blerje votash, por do ta vërtetojë edhe drejtësia.
Dy persona u arrestuan në Dibër “për korrupsion aktiv në zgjedhje shtetasit”, njoftoi Policia, të premten.
Të arrestuarit A.C dhe D.XH banues në Maqellarë, u ndaluan nga mbështetësit e PD dhe LSI, të enjten, në Maqellarë.