Lubonja: Rama, media dhe narkoregjimi

Lubonja: Rama, media dhe narkoregjimi

Publicisti dhe opnionisti Fatos Lubonja, në një shkrim për gazetën Panorama, flet për lidhjet e Qeverisë Rama me krimin dhe nevojën e tij për të kapur median, si të vetmet mënyra për të ruajtur pushtetin.

Duke bërë një paralelizëm me diktaturën komuniste, kur në emisionet e lajmeve nuk flitej asnjëherë për krime e vrasje, a thua se nuk ndodhnin, Lubonja shkruan se dhe tashmë kur media i raporton krimet, për çudi ato nuk i bëjnë përshtypje askujt, as qeverisë:

“Një pyetje ngrihet: si ka mundësi që politikanët tanë, kur janë në pushtet, nuk i shqetëson fare ajo që i shqetësonte diktatorët dje: se kronika e zezë e krimit ishte tregues i faktit se ata nuk kanë ndërtuar më të mirën e botëve? Si ka mundësi që nuk mendojnë për asnjë çast se autorët e vrasjeve, përdhunimeve, trafikimeve, hedhjeve në erë, plaçkitjeve me maska, pa maska, nuk janë marsianë, as personazhe filmash të Hollivudit, por shqiptarë që janë rritur dhe edukuar në Shqipërinë e qeverisur prej tyre?

Sikur të ishte e vërtetë se Rilindja me në krye kryeministrin po përpiqet vërtet të na rilindë, te ky aspekt do të duhej të përqendrohej fort. Sepse rilindje do të thotë më së pari përpjekje për të na nxjerrë nga balta e krimit. Pra, ata s’do t’i zinte gjumi kur të dëgjonin kronikën e zezë të krimit. Pale çfarë do të bënin kur t’u dilte dora vetë, ministri i tyre i Brendshëm, si pjesëtar i një bande mafioze. Mirëpo çfarë ndodhi, e zeza Rilindje dhe i ziu kryeministër na dolën me tezën se kemi të bëjmë me krijime të madiave të “kazanit”, të gazetarëve që “shajnë” Shqipërinë sepse kushedi se cili armik i jashtëm i paguan.

Duke u nisur nga absurditeti i këtyre akuzave, një pjesë gazetarësh kanë hedhur idenë se ato janë bomba tymuese që hedh kryeministri për të shmangur vëmendjen e opinionit nga skandali ku është përfshirë direkt dhe indirekt edhe vetë. Do të isha shumë i qetë po të qe kështu por, për fat të keq, mendoj se duhet të jemi shumë më të shqetësuar për veprimet e kryeministrit ndaj mediave.

Veprimi i tij ndaj mediave, ashtu sikurse edhe vendimi për të mbrojtur Saimir Tahirin nga arrestimi, me gjithë provat flagrante, tregon se rilindësit, me në krye Ramën, janë të vendosur të ruajnë paprekshmërinë e tyre. Dhe paprekshmëria ruhet duke ruajtur pushtetin.

Agresiviteti i Edi Ramës ndaj mediave dhe gazetarëve të veçantë jep shenja të qarta se ai po shkon shumë më tej.

Ai po tregon se sikur të kishte pushtetin që i jepte diktatorit Hoxha sistemi njëpartiak i komunizmit, do ta kishte ndaluar fare edhe kronikën e zezë të krimit, madje do t’i detyronte mediat të pasqyronin vetëm realitetin e tij. Por, fakti që nuk e bën dot këtë, nuk do të thotë se jemi të imunizuar nga të këqija dhe rreziqe të tjera.

Ashtu siç është e gabuar ta mendojmë regjimin e djeshëm punë të një njeriu të vetëm, Enver Hoxhës, po ashtu është e gabuar ta shohim regjimin e sotëm punë të një njeriu të vetëm, Edi Ramës. Kjo do të thotë të shfajësosh shumë fajtorë që direkt dhe indirekt janë të interesuar që të mbahet në këmbë ky regjim. Pa mbështetjen e tyre, ai mund të binte që nesër. Prandaj edhe rreziqet duhen parë si rreziqe që na vijnë nga i gjithë ky kontingjent.

Sipas gjykimit tim, kjo që po ndodh me sulmin e Ramës ndaj mediave – edhe ndaj atyre që deri dje e kanë mbështetur – flet për kalimin në një fazë tjetër të regjimit. Duke përdorur terma tashmë të njohur do të thoja se po asistojmë në kalimin nga regjimi mediatik te narkoregjimi.

Deri disa vite më parë, oligarkët pronarë mediash pasuroheshin nëpërmjet ndërtimit duke përdorur mediat, por duke thithur kryesisht paratë e emigrantëve. Me Ramën kryeministër kemi një “hop cilësor”. Paraja e madhe e krimit po merr rolin kryesor në mbajtjen në këmbë të pushtetit. Kështu, p.sh., kullat që projektohet të ndërtohen nuk justifikohen veçse me para të pista.

Banka e Shqipërisë te raporti i politikës monetare (2017) flet për ulje të kërkesave për kredi “si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar”. Në këto kushte, pronarët e mediave, pjesërisht pasi ky realitet nuk fshihet dot pasi dalin përditë zbuluar nga portalet e shumta dhe pjesërisht pasi bizneset e tyre po varen gjithnjë e më shumë nga paraja e krimit, kanë dalë në plan të dytë si instrumente pushteti. Rama provoi ta mbulojë këtë realitet të ri mediatik duke shumëfishuar mediat dhe portalet e tij.

Pastaj krijoi një televizion të vetin. Duke mos mbetur i kënaqur, sot po konsumon shumë shpejt një fazë që po prodhon më së shumti efekt negativ: delegjitimimi dhe denigrimi i gazetarëve që flasin për këtë realitet.

Le të mos harrojmë se prapa Ramës tashmë nuk janë vetëm oligarkët dhe gazetarët vrasës moralë të paguar prej tyre, por edhe narkotrafikantët dhe ushtarët e tyre, vrasës fizikë. Narkoregjimi është faza e pastrimit të parave të krimit nëpërmjet çimentimit të lidhjeve të politikës me oligarkët, me kriminelët, ku këta të dytët bëhen gjithnjë e më vendimtarë.

Prandaj denoncimi dhe sulmi ndaj krimit si dhe investigimi ndaj tij sot përjetohet nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij si sulm ndaj shtyllës kryesore të regjimit. Ja pse në këtë moment vijmë në nevojën e diktatorëve të djeshëm për ta zhdukur fare nga faqet e mediave kronikën e zezë të krimit. Mirëpo, kjo nuk arrihet dot në gjeopolitikën ku jetojmë. Atëherë rreziku është që shumë shpejt të kalojmë në faza që i kanë kaluar vende ku ka sunduar mafia, siç është p.sh. Sicilia e viteve ’80, kur Andreoti kryeministër thoshte se në Sicili nuk ekziston mafia dhe vriteshin gazetarë dhe prokurorë.

Duke perifrazuar një thënie famëkeqe të komunistëve për pushtetin do të thoja se Edi Rama & Co po japin përditë sinjalin se me krim e kanë marrë dhe me krim do ta ruajnë pushtetin. Ndalimi i këtyre rreziqeve kërkon veprim sa nuk është vonë për shkatërrimin e narkoregjimit me kurajë, bashkim dhe largpamësi.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>