Lulzim Basha ka lënë të nënkuptohet, sot, se ai mund të ulet të negociojë për të zgjidhur krizën me Edi Ramën si Kryetar i Partisë Socialiste, me kushtin që ai të largohet nga Kryeministër.
Gjatë një bashkëbisedimi me mediat, pasditen e të martës, një nga gazetarët e ka pyetur Bashën se duke qenë se nuk e njeh Edi Ramën si Kryeministër dhe e ka të panegociueshëm largimin e tij, a do të ishte “i gatshëm me Edi Ramën si kryetar partie të nënshkruante, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve?”
Kryedemokrati Basha u përgjigj:
Kryetarin e PS-së nuk e zgjedh kryetari i PD-së, por procesi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie tranzitore mund të kalojë vetëm nga një qeveri pa Edi Ramën Kryeministër.
Basha mbajti të njëtin qendrim edhe pasi pyetja u përsërit nga një gazetar tjetër:
“Kundërshtarin politik nuk e përcaktoj unë, por kryeministrin duhet ta përcaktojë vetëm një proces i lirë zgjedhor. Edi Rama nuk mund të jetë kryeministër i një procesi të ardhshëm zgjedhor [..].”
Ndërsa për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, Basha pohoi:
Me 30 qershor kam besim të madh se bashkimi i qytetarëve, para 30 qershorit, jam i bindur do ta bëj të qartë që 30 qershori të mos hyjë në histronë e Shqipërisë kur tirania e krimit cimenton pushtetin kap dhe pushtetin vendor.
Kryedemokrati u shpreh se ka folur me partnerët e huaj dhe u ka komunikuar atyre, se mirëpret angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. “PD dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politik me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtare për të zgjidhur këtë krizë dhe për ti kthyer shqiptarëve sovranitetin e vjedhur,” pohoi Basha.
Në fund, kryetari i Opozitës u shpreh se e gjithë përpjekja e tij po bëhet që të mos përsëriten më në Shqipëri kriza të tilla. “Nësë do ketë një qeveri që merr pushtetin me krimin, asgjëson Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e lartë, asgjëson Prokurorin e Përgjithshëm dhe zhytet në afera korruptive, helmon fëmijët me gaz nëse do kemi qeveri të tillë ky duhet të jetë një precedent që një fund i tillë e pret,” tha ai.
Basha lajmëroi se nesër do të bëjë publike axhendën politike dhe axhendën e protestave.