Lëvizja Vetëvendosja deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ndalon kryetarin e saj, Albin Kurti dhe anëtaren e kryesisë, Albulena Haxhiu të kandidojnë në zgjedhje.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i LVV, Përparim Kryeziu argumentoi se Kurti dhe Haxhiu janë dënuar me kusht dhe jo me burgim, gjë që sipas tij nuk ka pasoja juridike.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht pika 2 të këtij aktgjykimi ka ndërlidhur nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme me nenin 70.3 të Kushtetutës së Republikës, pra me rastet e dënuara me një vit e më shumë burgim. Në rastin tonë, përkatësisht në rastin e z.Kurti dhe znj.Haxhiu, ata nuk kanë pasur dënime me burgim, por dënime me kusht, dhe dënimet me kusht nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja juridike.”
Më 2018, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese të hënën vendosi të ndalojë kandidimin në zgjedhje të personave të dënuar tre vitet e fundit.
Gjykata argumentoi se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”