Ermal Mamaqi u gjobit nga Policia për organizimin e trajnimeve me mbi 10 persona në ambjent të mbyllur. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama gjatë një konference për mediat të hënën, ku foli për mbërritjen e 1176 dozave të vaksinas Covid19 të kompanisë Pfizer në vend.
“Kam shumë respekt për Ermal Mamaqin, por nuk mundet të japë këtë shembull që iu dha shqiptarëve. E përmenda se e kam mik, mori gjobën siç e meritonte dhe nuk po përmend të tjerë”, tha kryeministri.
Mamaqi organizoi më 30 janar një trajnim me dhjetera persona duke shkelur rregullat anti-Covid në vend.
Qeveria ka ndaluar grumbullime me mbi 10 persona në ambjente të mbyllura, si masë për ndalimin e përhapjes së koronavirusit. Personat që shkelin këtë urdhër gjobiten me 1.000.000 lekë.
Rama u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat e vendosura.
Ndërkohë pak ditë më parë zëvendësministrja Mira Rakacolli u shfaq në një takim elektoral të PS duke shkelur masat anti Covid. Të hënën ajo e pranoi këtë dhe tha se ky ishte ‘një incident i izoluar’.