Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lajmëroi qytetarët se në Shqipëri nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirus dhe se institucionet shtetërore po marrin masat për ta parandaluar atë.
Gjatë mbledhjes së Task-Forcës në Rinas, Zonja Manastirliu u shpreh:
“Shqipëria deri më tani nuk ka asnjë rast me koronavirus. Ju kemi informuar për rastet, ku 6 raste të analizuar nga Instituti i Shëndetit Publik kanë rezultuar negative.”
Ajo shprehu besimin se strukturat shtetërore janë në gatishmëri dhe se në të gjitha pikat kufitare është dyfishuar personeli mjekësor”
“Kemi ekspertët më të mirë të ISHP, të kujdesit shëndetësor, që po ndjekin hap pas hapi planin e veprimit të miratuar nga Task-Forca. Të gjitha strukturat e shtetit janë në gatishmëri për tu përgjigjur për punën që ne po bëjmë.
Vetëm dje duke shtuar ekipet tona mjekësore kemi monitoruar më shumë se 4500 udhëtarë që kanë ardhur nga vendet që kanë transmetim komunitar. Vlerësimi është bërë sipas udhëzuesve të OBSH, që tashmë janë kthyer në protokolle kombëtare të punës tonë.”
Pyetur nëse Shqipëria do të mbyllë kufirin me Italinë, vend tashmë i prekur nga koronavirusi, ministrja Manastirliu u përgjigj se ende nuk ka ardhur momenti për të marrë këtë masë:
“Kemi dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare për të pasur një kontroll të dyfishimit dhe për të marrë vendime bazuar mbi evidencë dhe për të vlerësuar hap pas hapi marrjen e masave e vendimeve të tjera për çdo vendim do të informoheni në kohë reale. Po veprojmë me përgjegjësi në raport me zbatimin e rekomandimeve dhe udhëzimeve nga OBSh.
Sipas shkallës së rrezikshmërisë do të ketë dhe masa me qëllim mbrojtjen e popullatës. Për momentin kemi dyfishuar kontrollet në pikat kufitare për të pasur një evidencë dhe më pas për të marrë vendime bazuar mbi evidence.”
Deri tani si masë parandaluese, shteti shqiptar ka dyfishuar numrin e mjekëve në aeroport e pika kufitare dhe ka përshtatur ambiente të posaçme intervistimi për personat që vijnë nga shtetet me risk si Kina apo Italia.
Kontrolli i parë bëhet përmes një aparature për matjen e temperatures ndërsa më pas, në rast se personat shfaqin simptoma, ato merren në një ambient të veçantë për analiza të mëtejshme.
Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.