Pas Greqisë, konfirmohet një rast me koronavirus edhe në Maqedoninë e Veriut. Lajmi është konfirmuar nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
E infektuar rezulton një grua 50 vjeçe, e cila ishte kthyer para disa ditësh nga një udhëtim në Itali. Ajo ishte paraqitur në spitalin e Shkupit bashkë me dy persona të tjerë dhe pas analizave është konfirmuar për koronavirus.
Ndryshe nga ajo, 2 personat e tjerë kanë rezultuar negativ.
Ministri Filipçe bëri thirrje për qetësi dhe siguroi se institucionet po marrin të gjitha hapat e nevojshme:
“[…] të gjithë personat që kanë udhëtuar së bashku me të infektuarën do të kontrollohen dhe do të vendosen në izolim 14 ditor”
Rast me koronavirus u zbulua sot edhe në Greqi: një grua 38-vjeçare nga Selaniku, e cila kishte udhëtuar në veri të Italisë ditët e fundit.
Koronavirusi ka infektuar më shumë se 80,000 njerëz në botë, duke shkaktuar mbi 2.700 vdekje, kryesisht në Kinë, ku virusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar.
Në pjesën tjetër të botës, ka pasur më shumë se 40 vdekje dhe mbi 2.700 raste. Ditët e fundit koronavirusi është përhapur në gjithë Italinë me më shumë se 370 të prekur dhe 12 viktima. Autoritetet italiane kanë raportuar se mes të prekurve ka dhe 4 fëmijë.
Njerëzit që kishin vizituar kohët e fundit Italinë rezultuan të prekur në Spanjë, Austri, Zvicër, Kroaci. Rastet e fundit me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut tregojnë rezikun me të cilin përballet Shqipëria.
Ndërkohë në vendin tonë, autoritetet shëndetësore deklaruan edhe sot se nuk ka asnjë rast me koronavirus.
Qeveria ka thënë disa herë se në Rinas po bëhen kontrolle të të gjithë pasagjerëve që vijnë nga Italia, Exit News tregoi dje, përmes një videoje, se pasagjerët e ardhur nga Bolonja në datë 24 shkurt, nuk i janë nënshtruar asnjë kontrolli mjekësor. Në video duket qartë se, megjithëse ka një person me aparaturë temperature në dorë, pranë pikës së kontrollit të pashaportave, ai nuk i kontrollon pasagjerët.
Për tu informuar më tepër rreth shpërhapjes së koronavirusit deri më tani mund të lexoni këtu, ndërsa për informacionet të tjera mund të lexoni këtu 9 pyetjet më të zakonshme rreth këtij virusi. Këtu mund të lexoni disa nga këshillat bazike që çdokush duhet t’i ketë parasysh.
Po ashtu, Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.