Maqedoni, Presidenti Ivanov refuzon "platformën" e Edi Ramës

Maqedoni, Presidenti Ivanov refuzon "platformën" e Edi Ramës

Marrëveshja e Tiranës mes liderëve të partive shqiptare në Maqedoni, hartuar nën dirigjimin e Edi Ramës, rrezikon tashmë ta hedhë Maqedoninë në një krizë kushtetuese dhe të shkaktojë trazira etnike.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit në Maqedoni, Kryeministri Rama ftoi partitë shqiptare për të unifikuar qëndrimin e tyre për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Në marrëveshje, një ndërhyrje e drejtëpërdrejtë e Edi Ramës në politikën maqedonase, u përfshi dhe kërkesa për të bërë shqipen gjuhë kombëtarë të sanksionuar në kushtetutë.

Partitë shqiptare kanë një rol kyç në formimin e qeverisë së re maqedonase, duke qenë se asnjë parti nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme, 61 mandate nga 120 në total, për të formuar qeveri.

Bisedimet e mëparshme mes ish-kryeministrit Nikola Gruevski (VMRO-DMPNE), fituesit të zgjedhjeve me 51 mandate,  dhe Ali Ahmetit të BDI-së, që ka 10 mandate deputetësh, nuk arritën të formonin koalicion.

Kur pritej që Zoran Zaev, kreut të LSDM-së, partia e dytë me më shumë mandate, 49,  t’i jepej e drejta për formimin e qeverisë së re nga presidenti Ivanov, ky i fundit refuzoi.

Zoran Zaev ka arritur të mbledhë 67 firma të deputetëve të parlamentit, në bashkëpunim me 3 parti shqiptare, përfshi dhe BDI-në e Ali Ahmetit. Pjesë e marrëveshjes me partitë shqiptare në koalicion është dhe miratimi i ligjit që e bën shqipen gjuhë kombëtare.

Presidenti Ivanon, në refuzim të koalicionit të Zaev, deklaroi se: “kushtetuta dhe ndërgjegja ime më ndalon të jap një mandat për këdo që shkatërron sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.” Ai shtoi se Zoran Zaev duhet të jetë i pari që të refuzojë një “platformë që vjen nga një vend i huaj”.

Presidenti Ivanon tha se marrëveshja me LSDM-së dhe partive shqiptare bie ndesh me kushtetutën dhe Marrëveshjen e Paqes së Ohrit të vitit 2001.

Kreu i LSDM-së Zaev u përgjigj duke e quajtur vendimin e Ivanovit “një grusht shteti” dhe duke e akuzuar se është ai “që e ka shtyrë Maqedoninë në një krizë kushtetuese dhe kombëtare duke mohuar vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe duke ndalur transferimin e ligjshëm të pushtetit.”

Pra tani ,duket se ndërhyrja e Edi Rama në polikën e brendshme të Maqedonisë ka dështuar, njësoj si vizioni i tij për miqësi me kryeministrin e Serbisë Vučić, si komentet e pamenduara për presidentin Trump apo si përkeqësimi i marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, probleme këto që u përmendën dhe në Progres Raportin e PE-së.

Duke tentuar të marrë rolin e liderit mes partive shqiptare në Maqedoni, Kryeministri Rama i ka dhënë nacionalistëve maqedonas, përfshi dhe presidentit Ivanov e ish-kryeministrit Gruevski, justifikimin për të rrëzuar çdo marrëveshje që paraqet të drejtat e shqiptarëve si rrezik për sovranitetin maqedonas.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>