Maqedoni, Presidenti Ivanov nuk i jep për të dytën herë mandatin Zoran Zaev

Maqedoni, Presidenti Ivanov nuk i jep për të dytën herë mandatin Zoran Zaev

Presidenti i Maqedonisë George Ivanov bëri të ditur dje se nuk do t’i japë mandatin për të formuar qeverinë Zoran Zaev-it, liderit të partisë opozitare LSDM.

Sipas deklaratës për shtyp, arsyeja për këtë vendim është se “pengesa, që nuk e lejonin presidentin Ivanov t’i japte mandatin Zoran Zaev që më parë, nuk janë eleminuar ende”.

Me “pengesë”, presidenti maqedonas i referohet “platformës së Tiranës”, marrëveshjes mes Kryeministrit Edi Rama dhe liderëve të partive shqiptare në Maqedoni, nënshkuar në janar 2017.

Vendimi i Presidentin vjen kur komuniteti evropian dhe opozita në Maqedoni po bëjnë thirrje për të mos e vonuar formimin e qeverisë së re.

Kjo është hera e dytë që Zoran Zaev-it, që së bashku me partitë shqiptare ka mbledhur 67 deputetë nga 120 në total, i refuzohet mandati për të formuar qeveri.

Në fillim të marsit, Presidenti Ivanon, në refuzimin e parë të koalicionit të Zaev, deklaroi se: “kushtetuta dhe ndërgjegja ime më ndalon të jap një mandat për këdo që shkatërron sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.” Ai shtoi se Zoran Zaev duhet të jetë i pari që të refuzojë një “platformë që vjen nga një vend i huaj”.

Po ashtu, ish-kryeministri Nikola Gruevski ka refuzuar publikisht platformën e hartuar në Tiranë, në janar 2017, nga partitë shqiptare të Maqedonisë.

Me anë të një deklarate për shtyp, VMRO-DPMNE, forca që fitoi zgjedhjet e dhjetorit me 51 vende në parlament, shprehet:

 “Në zgjedhjet e kaluara qytetarët votuan për VMRO-DPMNE-në e jo për platformën e Tiranës. Është e palejueshme që platforma e Tiranës të bëhet kusht për formimin e Qeverisë në Republikën e Maqedonisë. Ajo qeveri do të ishte Qeveri e Tiranës.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>