Maqedonia e Veriut do të marrë nga Serbia 8 mijë vaksina kundër Covid-19 të kompanisë Pfizer.
Kryeministri Zoran Zaev njoftoi të hënën se po negociohet edhe për vaksina të tjera.
Në njoftimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut thuhet se Zaev pas një komunikmi që pati të hënën me Vuçiç ranë dakord për këtë sasi vaksinash.
Kryeministri Zaev deklaroi:
“U bisedua edhe për vaksinat tjera për të cilat kanë marrëveshje, por që duhet t’i kontrollojnë klauzolat se a mund të bëjnë një gjë të tillë. Jam shumë falënderues dhe dëshiroj që në emrin tim dhe në emër të gjithë popullit maqedonas, që deri te Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, Qeverisë dhe popullit serb, ta përcjell këtë mirënjohje. Bëhet fjalë për një akt serioz të miqësisë që tregon se Serbia dëshiron të ndajë me fqinjin jugor pjesë nga vaksinat që i ka”.
Zaev tha po ashtu se Vuçiç ka shprehur vullnet që vaksinat të jenë dhuratë nga shteti serb,.
Por Zaev tha se Maqedonia ka mjete dhe do t’i paguajë vaksinat vetë.
Ai bëri me dije se do të bisedojë edhe me homologen e tij Ana Bërnabiq, lidhur me procedurën.
Në deklaratën për media, Kryeministri Zaev informoi se po vijojnë aktivitetet për marrëveshjen me “Pfizer” për 800.000 vaksina, që do t’i mbulojnë dozat për 400.000 qytetarë.
Ai tha se po vazhdojnë bisedimet edhe me vende të tjera për sigurimin e vaksinave, deri sa të arrijnë 5.850 dozat e para të vaksinave në shkurt.
Në një postim në Facebook ai e cilësoi si një akt solidariteti dhe forcim të miqësisë ndihmën e ofruar nga Serbia. Zaev shtoi:
“Vazhdojnë negociatat rreth proceseve teknike për të dhënë vaksinat, dhe punëtorët shëndetësor, të sëmurët kronikë, të rriturit dhe kategoritë e tjera të rrezikut do të vaksinohen me dozat e para”.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin u vaksinuan pak ditë më parë me vaksinën e Rusisë SputnikV kundër Covid-19.
Serbia ka marrë, të shtunën, rreth 1 milionë doza të vaksinës kineze Sinopharm, prodhuar nga kompania shtetërore kineze me të njëjtin emër.
Ndërsa në 4 Janar Serbia mori 20 mijë doza të tjera vaksinash nga kompania Pfizer.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut është kritikuar nga partitë opozitare në vend sa i takon procesit të vaksinimit. Sipas tyre ajo është ndër vendet e fundit në rajon që nuk ka një program për vaksinimin.
VMRO-DPMNE ka deklaruar në lidhje me këtë:
“Kur pothuajse të gjithë janë furnizuar me vaksina dhe ka startuar vaksinimi kundër virusit korona Filipçe nuk di çfarë të bëjë. Së pari tha se vaksinë do të ketë në fillim të vitit të ardhshëm, që më pas ta ndryshojë deklaratën se kjo do të ndodhë në Mars. Dje sqaroi si Maqedonia ka qenë treg i vogël kështu që vaksina do të ketë në gjysmën e dytë të vitit 2021”.