Maqedonia ka refuzuar mbajtjen e akronimit “FYROM” si emrin e saj zyrtar, duke thënë se ky emër nuk ka asnjë lidhje me gjuhën maqedonase e se i ngjan më shumë një gjuhe të filmave fanta-shkencë.
Në një konferencë për shtyp në Bruksel, së bashku me zyrtarë të BE-së, ministri i Jashtëm maqedonas Dimitrov deklaroi:
“Kur ju thoni FYROM për Maqedoninë, ka aq lidhje me vendin tim sa “Klingon” në seritë televizive Star Trek.”
Ndërsa refuzoi ndryshimin e sugjeruar nga Greqia, ministri Dimitrov la të kuptohej se një tjetër kompromis ishte i mundur:
“Ne duhet të gjejmë një mënyrë ku të dy vendet të shkojnë përpara mekokën lart. Mendoj se është e mundur. Ne duhet të bëjmë hapat e duhur, në kohën e duhur.”
Emri i Maqedonisë, që pas fitimit të pavarësisë në vitet 1990, pas rënies së Jugosllavisë, ka shkaktuar mosmarrëveshje me shtetin fqinj Greqinë. Kjo e fundit insiston se emri Maqedoni duhet të përdoret vetëm për krahinën në veri të Greqisë. Për këtë arsye Greqia ka bllokuar tentativat e Maqedonisë për t’iu bashkuar NATO-s, duke vënë veton.
Athina zyrtare dhe Kombet e Bashkuara i referohen Maqedonisë me emrin FYROM, akronimi në anglisht për Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.