Mario Draghi formon qeverinë e re të Italisë, nesër ‘betimi’ në presidencë

Nga Exit News
Mario Draghi formon qeverinë e re të Italisë, nesër ‘betimi’ në presidencë

Italia do të ketë një qeveri të re të drejtuar nga Mario Draghi. Ai u takua sot me presidentin Mattarella dhe pasi prezantoi propozimet e tij për kabinetin qeveritar, ranë dakord që betimi i ministrave të rinj të bëhet ditën e nesërme.

Mattarella i dha Draghit mandatin për të krijuar një qeveri të re javën e kaluar pas dorëheqjes së kryeministrit Conte, qeveria e të cilit humbi shumicën pas ndarjes së koalicionit.

Pothuajse të gjitha partitë e mëdha kanë rënë dakord të mbështesin Draghit, një figurë e respektuar në Itali që mbart ndikim në skenën ndërkombëtare, duke i dhënë kështu një shumicë dërrmuese në parlament për të shtyrë para axhendën e tij.

Mario Draghi nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe më parë ka drejtuar Bankën Qëndrore Europiane.

Kabineti i tij pritet të përfshijë politikanë nga partitë që e mbështesin atë dhe teknokratë me përvojë, raporton Reuters.

Luigi Di Maio, i “Lëvizjes 5 Yje”, do të mbetet ministër i Jashtëm, ndërsa Giancarlo Giorgetti, një figurë e lartë në partinë “Lega Nord” të Salvinit, do të jetë ministri i Industrisë. Andrea Orlando, nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, do të jetë ministri i punës.

Sidoqoftë, disa poste kyçe i janë dhënë teknokratëve që nuk janë të lidhur me asnjë parti. Daniele Franco, drejtori i përgjithshëm i Bankës së Italisë, u emërua si ministër i Ekonomisë dhe Roberto Cingolani, një fizikant dhe ekspert i IT, mori rolin e ministrit për të tranzicionin e gjelbër.

Në kabinetin me 23 ministra janë vetëm 8 gra.

Pas betimit të shtunën, Draghi do të shpalosë programin e tij në dy dhomat e parlamentit të cilat në fund do të votojnë qeverinë e re, një formalitet duke pasur parasysh mbështetjen e tij ndërpartiake.

Të enjten, Draghi mori mbështetjen e grupit më të madh në parlamentin italian, “Lëvizja 5 Yje”. Mbështetja e saj dhe pothuajse të gjitha partive të tjera të mëdha do të thotë se asnjë parti nuk do ta rrëzojë dot e vetme qeverinë Draghi nëse largohet nga koalicioni.

Një nga arsyet që kaq shumë parti kanë bashkuar forcat në koalicionin qeverisës është se të gjithë duan të thonë fjalën e tyre se si Italia do të shpenzojë më shumë se 200 miliardë euro që ka vendosur të marrë nga një fond i Bashkimit Evropian.

Çështjet kryesore që do të trajtojë qeveria e re janë kriza shëndetësore e koronavirusit dhe rënia ekonomike e Italisë.

Draghi vlerësohet se ka shpëtuar monedhën euro gjatë kohës kur ishte në krye të Bankës Qëndrore Europiane dhe pritet që ai të ketë ndikim në formësimin e debatit të BE mbi atë se si blloku duhet të projektojë ringjalljen ekonomike.

Draghi ka premtuar të krijojë një ministri të fuqishme për tranzicionin ekologjik, një lëvizje që ndihmoi të fitonte mbështetjen nga “Lëvizja 5 Yje” për të cilët mjedisi është një shqetësim kryesor.

Politikat për të luftuar ndryshimin e klimës kërkohet të jenë një shtyllë e planeve të rimëkëmbjes që do të paraqiten nga vendet e BE në Komisionin Evropian deri në prill.

Draghi ka thënë gjithashtu se ai do ta ketë përparësi programin e vaksinave anti-koronavirus. Italia ka regjistruar gati 93,000 vdekje nga COVID-19 numri i dytë më i lartë në Evropë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>