Marrëveshja Kosovë-Serbi kërkon lëshime të mëdha nga të dyja vendet

Nga Die Morina
Marrëveshja Kosovë-Serbi kërkon lëshime të mëdha nga të dyja vendet

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) parashikon se një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të përfshijë me shumë gjasa lëshime të mëdha nga të dyja palët, autonomi për komunat serbe ose shkëmbime territoresh mes dy vendeve.

Një nga autorët e raportit të fundit të ICG mbi konfliktet, Giuseppe Fama tha për Radion Evropa e Lirë, se BE-ja nuk duhet të imponojë kufizime në dialog dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rol në bindjen e Kosovës që të ridizajnojë platformën dialoguese.

” Duhet kuptuar se nuk ka zgjidhje, ku fitues i plotë do të jetë vetëm njëra palë. Nuk mund të ndodhë një skenar ku Kosova dhe Serbia do të arrijnë të përmbushin kërkesat e tyre plotësisht, prandaj do të duhet të bëjnë lëshime,” tha Fama.

Nëse Kosova pajtohet për autonomi të gjerë për komunat me shumicë serbe, e njëjta duhet të vlejë edhe për Luginën e Preshevës në Serbi.s [me shumicë shqiptare], argumentoi ai.

Fama sugjeron që është thelbësore që BE të këmbëngulë sa më shumë të jetë e mundur drejt një zgjidhje përfundimtare të mundshme. Me Këshillin e Punëve të Jashtme të BE që ka miratuar strategjinë në bisedimet Beograd-Prishtinë, shton ai, ekziston një moment i ri midis evropianëve për të kërkuar një marrëveshje.

“Është e hapur për diskutim nëse kjo mund të arrihet së shpejti”, shtoi Fama.

Njohja e ndërsjellë mbetet një element i vështirë i një marrëveshjeje të mundshme për shkak të pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën. “Prandaj, në të vërtetë do të jetë çështje e diplomacisë” shtoi Fama.

Sipas raportit të fundit të botuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, mosmarrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë shihet si burimi më i madh potencial i paqëndrueshmërisë në Ballkan.

Pavarësisht nga fakti që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se “mosmarrëveshja nuk ka datë skadimi natyror”, raporti vëren se ka shpresë për një vizion të mundshëm të përbashkët se si ta zgjidhin atë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>