Marrëveshja me Greqinë, Rama hesht, Tsipras: Greqia përfiton avantazhe të mëdha

Marrëveshja me Greqinë, Rama hesht, Tsipras: Greqia përfiton avantazhe të mëdha

Kryeministri Rama dhe ai grek Aleksis Tsipras kanë shfrytëzuar samitin e NATO-s për tu takuar dhe bërë deklarata lidhur me marrëveshjen mes dy vendeve, për detin dhe çështje të tjera si ligjin e luftës dhe kufijtë.

Ndërsa Kryeministri Rama dhe ministri Bushati nuk kanë dhënë asnjë informacion konkret lidhur me mbarëvatjejn e negociatave, Kryeministri grek Tsipras sqaroi për qytetarët e tij se ata do të përfitojnë avantazhe të rëndësishme nga kjo marrëveshje:

“Jemi shumë afër zgjidhjes që ka të bëjë me delimitimin e zonave ekskluzive ekonomike (ZEE), një zgjidhje që i jep avantazhe të rëndësishme palës greke – nuk dua të hyj në detaje, por kryesisht hap rrugën për delimitimin gradual të ZEE të Greqisë, të paktën duke filluar nga perëndimi që të mundim të avancojmë edhe me vendet e tjera.”

Përveç kufijve detarë, pala greke ka arritur dhe një tjetër pikë në favor të sajin.

“Kemi një zhvillim pozitiv sa u përket ushtarëve grekë që humbën dhe janë varrosur në tokën shqiptare dhe ditët e ardhshme do të bëhet një ceremoni përkujtimore për ta”, u shpreh Tsipras.

Ndërsa lidhur me përfitimet që merr Shqipëria, ai tha se bëhet fjalë për çështje jomadhore e lëshime të vogla nga Greqia:

“Ne nga ana jonë kemi bërë hapa kundrejt palës shqiptare, sa i përket lejes së drejtimit të automjeteve, dhe në një sërë çështjesh të tjera, jo madhore, por të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve.”

Ndërkohë Kryeministri Rama u mjaftua vetëm me njoftimin se sapo të arrihet marrëveshja përfundimtare “kushdo që akuzon për tradhëti, do të tupërohet nga opinioni publik”:

“Të dy vendet janë duke gjetur zgjidhje në interesin më të mirë të secilit vend dhe njerëzve të tyre. Kemi bërë shumë progres. Jam 100 për qind i sigurt se kur rezultatet të finalizohen dhe bëhen të qarta për të gjithë kushdo që akuzon për tradhëti nga të dyja palët do të tupërohet nga opinioni publik.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>