Marrëveshja me Pfizer për vaksinat shkakton debate në Kuvend

Nga Exit News
Marrëveshja me Pfizer për vaksinat shkakton debate në Kuvend

Marrëveshja e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer për vaksinat ka shkaktuar debate të hënën në Kuvend.

Qeveria ka miratuar me akt normativ, marrëveshjen me kompaninë Pfizer për vaksinat anti-COVID, por ka vendosur që ajo të mos bëhet publike “për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës”  së kompanisë.

Për këtë arsye deputetët e opozitës parlamentare kanë kërkuar transparencë nga qeveria në lidhje më këtë.

Deputetja Rudina Hajdari deklaroi në Kuvend se qytetarët duhet të njihen me aktet normative:

“S’jam dakord sepse s’kemi pse sillemi sikur ka ndonjë sekret të madh. Të dimë si bëhen marrëveshjet, sa janë, si do shkojnë. Si do jenë fazat. Ka shumë gjëra që mund t’i përdorim seancat për të informuar qytetarët e jo të merren vendime në dhoma të kyçura me 3-4 veta. Jemi lodhur me këto histori”.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci u shpreh se nuk ka asnjë sekret sa i takon marrëveshjes me Pfizer.

Edhe deputeti Ralf Gjoni ka kritikuar qeverinë për këtë marrëveshje, duke e cilësuar atë si një tallje. Ai ka kërkuar që të njihet me tekstin e aktit normativ dhe jo thjesht të dëgjoj titujt e lexuar nga kryetari i Kuvendit.

Ralf Gjoni u shpreh:

“Keni kaluar nga debati i madh i vitit të kaluar me ministren Manastirliu për vaksinën Covax, e cila nuk e di se ku po fshihet, se nuk po shohim asnjë gjurmë të saj, në disa vaksina klandestine, deri në marrëveshjen teksti i së cilave mungon”.

Ai kërkoi nga qeveria që të ketë transparencë përpara se deputetët të votojnë aktet normative:

“A ka mundësi të ketë transparencë, sepse kemi përgjegjësi të madhe si deputetë për të votuar shuma të mëdha në buxhet për vaksinat, por procedurat duhet të bëhen transparente. Ndryshe po e kthejmë shtetin në një çerdhe”.

Ruci nuk i ka pranuar akuzat e deputetit Gjoni duke thënë se të dy aktet i ka bërë publike në Konferencën e Kryetarëve:

“Të dy aktet unë i kam bërë publike në Konferencën e Kryetarëve, ku kam artikuluar fjalinë “nuk do të botohen”, por deputetët duhet të njihen absolutisht me to. Kështu që s’ka asgjë këtu për transparencë. Kjo është një kërkesë për të gjitha parlamentet dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>